Agjencia Zhurnal.KS
Opinion

A do të shpërthejë Lufta e Tretë Botërore pasi LDK-ja humbi zgjedhjet në Podujevë

Bexhet Shala

Zhvillim normal në një gjendje jonormale : Për një kohë të gjatë kam jetuar në Podujevë / Besianë dhe tash është një gjendje krejtësisht tjetër. Kam jetuar në ish – rrugën “ JNA “ tash “ Zahir Pajaziti “ e banuar kryesisht me serbë jashtëzakonisht të ngarkuar kundër shqiptarëve e që këtë e demonstronin nga pozita e supremacionit shtypës . Nga hotel Llapi ku fillon rruga “ Zahir Pajaziti “  e deri te Motel Besiana ku përfundon kjo rrugë , në të dy anët ishin të banuara me shtëpi ku jetonin serbët , me përjashtim të familjes të Shaban Shalës ( babait tim ) , të durulakëve që pastaj ia shitën pronën Sabit Hotit ku është kafja e famshme “ Kafja e Sabitit “ , pak më poshtë ishte Haliti për të vazhduar me Nezir dhe Idriz Dyzin e pastaj ishin pronat dhe shtëpitë e blakçorëve , blakëve , raçëve dhe turrecëve. Kur filloi njëfarë lehtësimi i masave ndaj shqiptarëve me rënien e Rankoviqit , serbët , sidomos nga qendra i shitën pronat  dhe u zhvendosën në Kurshumli , Prokupje dhe Nish ku e ndërtuan një lagje të quajtur Novo Sello, e banuar 100% me serbë të Podujevës dhe të rrethinës. Gjeografinë politike dhe kombëtare e ndryshuan Baca Adem Demaçi , Shaban Shala  , Hamit Berberi , Xheladin Rekaliu , Ilaz Pireva , Hakif Sheholli , Ibrahim Durulaku , vëllezërit Qazim dhe Brahim Stublla Elhame Shala – Bogujevci që ishte bërthama e organizimit të rezistencës së viteve të 60 –ta dhe shumë atdhetarë tjerë që e vazhduan rrugën e tyre , që nga demonstratat e vitit 1981 e deri në vitin 1999 kur falë luftës së lavdishme të UÇK-së  , Kosova u çlirua . Nga viti 1989 e deti në vitin 1998 , legalisht vepronin në Kosovë Lidhja Demokratike e Kosovës që e bëri një organizim paralele , si bërthamë e një rezistence paqësore në përpjekje që të sigurohej liria e Kosovës por pa marrë përgjegjësi për një organizim tjetër , përgatitjen e rezistencës së armatosur e që në ilegalitet e bënin grupet , kryesisht të ish – të burgosurve politikë dhe Lëvizja Popullore e Kosovës. Kontribut të madh në këtë periudhë e dhanë SHBH “ Nëna Terezë “ në planin e sigurimit të ndihmave humanitare por edhe ndihmonin UÇK-në si dhe KMDLNj –ë , në planin informativ për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë e që gjithashtu ishte aktive në mbështetje të UÇK-së , deri edhe në pjesëmarrje aktive në luftë. Ishte roli i pazëvendësueshëm i Bacës Adem Demaçi gjatë kësaj periudhe i cili nuk donte të rivalizonte LDK-në por , përkundrazi kërkonte nga ne ( ish – të burgosurit politikë ) ta përkrahim Ibrahim Rugovën duke e votuar në fillim të viteve të 90 –ta , gjë që edhe e bëmë. Pas daljes nga burgu ( vitet e 90 –ta ) LDK –ë në Podujevë nuk bashkëpunonte me të burgosurit politikë që ishin liruar duke i konsideruar si rivalë për marrje të primatit e në veçanti ishte një disponim i hapur kundër Bacës Adem Demaçi , sidomos kur e humbi besimin se me rezistencën e Rugovës Kosova do të lirohej e lëre më të çlirohej prandaj u bë një fushatë e madhe ndaj Bacës anekënd Llapit duke e portretizuar si përçarës dhe kundërshtar të rezistencës paqësore në ndërkohë që Baca përpiqej ta dinamizojë këtë rezistencë duke mos e përjashtuar as luftën e armatosur. Dega e LDK-së në Podujevë ku ishin edhe Xheladin Rekaliu , Ilaz Pireve , Hakif Sheholli dhe të tjerë ndonëse ishin përkrahës të Bacës Adem u gjendën midis dy zjarreve , Ibrahim Rugova në njërën anë të cilin e kishin kryetar partie dhe Baca Adem Demaçi që e llogarisnin udhëheqës shpirtëror dhe motivues për çdo rezistencë. Prandaj nuk arritën të amortizonin fushatën kunndër Bacës Adem Demaçi e cila burimin e kishte në zyrën e LDK-së në Prishtinë kurse ekzekutohej në Podujevë dhe Llap. Pas përfundimit të luftës , deri në zgjedhjet e fundit lokale , lDK-ë ishte forcë politike dominuese në Podujevë dhe Llap duke i fituar të gjitha zgjedhjet lokale . Figuar qendrore që ua siguronte fitoren ishte Agim Veliu kurse kryetar u zgjodhën , varësisht nga pozitat që mbante Agimi në nivelin qendror , i ndjeri Agim Kika dhe Ilaz Pireva.

Zgjedhjete fundit lokale : Favoritë për fitues të zgjedhjeve të fundit lokale në Podujevë për mandatin e mbetur 8 muajsh ishin Nazmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i LVV kurse Naim Fetahu i PDK-së ishte eskortë që do të vendoste për fituesin e zgjedhjeve në rast balotazhi. Naim Fetahu ishte autsajder absolut , pa asnjë gjasë për fitore dhe për mua ishte e habitshme pse pranoi këtë garë kur nuk kishte kurrfarë gjasash. Duhet të thuhet publikisht se foshnjoren e njohurive politike Shpejtim Bulliqi dhe Nazmi Rudari e kryen në LDK –ë dhe kryeedukatoti politik atëherë dhe deri kur i ndanë rrugët ishte Agim Veliu. Agim Veliu e krijoi politikisht edhe Shpejtim Bulliqin sikur edhe Nazmi Rudarin . Kjo është  më se e vërtetë! Më heret LVV garoi me dr. Ali Lahun dhe Ajet Poterën por se u mundën nga LDK dhe Agim Veliu. Tash , Albin Kurti e fitoi Podujevën me ish armën e LDK-së , Shpejtim  Bulliqi por tani me mbushje të LVV –së. Nuk jam marrë aspak me këto zgjedhje për faktin se fituesi ka manadat të mbetur në kohëzgjatje prej 8 muajve dhe këtë fitore më shumë e konsideroj si efekt psikologjik se sa mundësi që për një kohë të shkurtër të bëhen ndryshime të premtuara gjatë fushatës së LVV –së. Kam menduar se do të shkohet në balotazh por doli më mirë që nuk u shkua për faktin se na kanë kursyer nga edhe një votim ku unë as që kam qenë votues . Llapjanët i njohin mirë edhe Shpejtim Bulliqin sikur edhe Nazmi Rudarin por duhet të pranohet fakti se këtu gladiatorë politikë kanë qenë , Albin Kurti dhe Agim Veliu. Albini doli fitues i pakontestueshëm dhe duhet  të urohet për fitore , fillimisht nga Agim Veliu e pastaj edhe nga ata që nuk mendojnë si Albini sepse as nuk janë armiq e as nuk duhet të jenë armiq . Thjeshtë ,  janë rivalë politikë ! Është e pamohueshme se zgjedhjet në Podujevë i ka fituar Albin Kurti kurse i ka humbur Agim Veliu. Agim Veliu ka merita të mëdha për të gjitha fitoret e LDK-së në Podujevë mirëpo , çdo fillim e ka edhe një mbarim . Sa më parë ta kenë kuptuar këtë Agim Veliu dhe LDK-ë , aq më mirë do të jetë për ta për faktin se zgjedhjet lokale janë në prag të derës, në tetor të vitit 2021. Madje , në rrethanat e reja , shumë më vështitrë do të jetë për LVV –ën dhe Albin Kurtin se për LDK-në dhe Agim Veliun. Tetë ( 8muaj )  janë shumë pak për matje të performances së Shpejtim Bulliqit dhe LVV –së , aq më parë që e kanë një opozitë të fuqishme që bashkërisht ka afërsisht 48.5 % të votave. Se si do të reflektojë LDK-ë , është çështje e partisë , kryetarit të saj dhe Agim Veliut , si kryetar dege mirëpo këtë humbje nuk do ta ngrisja në nivelin e tragjedisë së Shekspirit e lëre më si pretekst për fillimin e Luftës së Tretë Botërore. Është një zhvillim demokratik , sigurisht i nevojshëm dhe i domosdoshëm pasi kështu e kanë vlerësuar dhe votuar votuesit në Podujevë. Do të ishte shumë mirë dhe e shëndetshme për demokracinë dhe qytetarët llapjanë që transicioni i pushtetit të jetë demokratik dhe që opozita , pa hatërmbetje për humbjen e zgjedhjeve të bëhet bashkëpunuese në realizimin e projekteve të filluara sikur që edhe fituesi , Shpejtim Bulliqi i LVV –ë duhet të jetë shumë i kujdesshëm me opozitën , duke e respektuar dhe trajtuar në mënyrën më demokratike të mundshme. Tash , Shpejtim Bulliqi nuk është vetëm kryetar i votuesve që e kanë votuar por është kryetar i të gjithë qytetarëve llapjanë . Zgjedhjet e tetorit të vitit 2021 do të jenë ose rikonfirmim i fitores së merituar të LVV –së , nëse i përmbahet premtimeve të fushatës , në të kundërtën mund të jetë rikthim i LDK-së ! Nuk jam as votues i LDK-së e as votues i LVV-së. Në jetën time vetëm një herë kam votuar , me kërkesën e Bacës  Adem Demaçi , në fillim të viteve të 90 –ta , në emër të unitetit kombëtar për Ibrahim Rugovën , në nivelin qendror dhe për Rifat Blakun , në nivelin komunal. Nuk kam përvojë të mirë nga e kaluara me LDK-në sepse , pasi jemi liruar nga burgu në vitet e 90 –ta jemi sulmuar dhe etiketuar si “ të kuq “ vetëm pse nuk jemi pajtuar me , ta quaj kushtimisht rezistencën e atëhershme . LVV –në e kam përkrahur shumë në kohën kur shumica e kanë sulmuar dhe kur e kanë pasur më së ngushti por se rrugët i kemi ndarë paqësisht ndonëse apartaçikët e saj më kanë sulmuar , pa asnjë bazë. LVV –ë që e pata përkrahur , pa asnjë rezervë në atë kohë , së bashku me Bacën Adem , Qalin dhe shumë të tjerë thuaja nuk ka asgjë të përbashkët me LVV – të sotit  , përveç emrit . Mund ta kem edhe gabim , nuk jam i pagabueshëm  mirëpo aktivistët e orëve të para të LVV –së , me një bagazh dhe kontribut të pakontestueshëm kombëtar dhe politik , kam përshtypjen që nuk janë zëri që dëgjohen shumë e që marrin vendime. Janë disi në margjina dhe në skenë janë snajperistët e rrjeteve sociale që pushkatojnë pa asnjë kriter dhe pa asnjë moral , kundërshtarët e projektuar si të tillë ndonëse kapitali i tyre kombëtar dhe politik është fare modest !  Krahasuar me subjektet tjera politike , LVV i ka dy përparësi përcaktuese që e bëjnë dallimin dhe i sigurojnë fitore , karizma dhe oratoria mbresëlënëse krahasuar me liderët tjerë , e Albin Kurtit sikur edhe organizimi në terren dhe vendosmëria e aktivistëve të punojnë në të gjitha kushtet dhe në të gjitha rrethanat ! Janë sakrifikues , pa asnjë dyshim !

Çka në dhe për të ardhmën : LVV –ë i fitoi zgjedhjete fundit parlamentare dhe bëri koalicon me LDK-ë , si pjesë e një marrëveshjeje parazgjedhore pas së cilës Albin Kurti u zgjodhë kryeminister kurse Vjosa Osmani , kryetare e Kuvendit. Ishin pritje të mëdha por se shpejt përfundoi ky koalicion i qua jtur “ Koalicion i Shpresës “. Kam përshtypjen se shkarkimi i Agim Veliut ka qenë i provokuar pikërisht për ta rrëzuar qeverinë dhe se Albin Kurti, si kryeminister dhe si udhëheqës i dialogut , pasi është informuar për përmbajtjen e bisedimeve ka hezituar të shkojë në bisedime. Mirëpo , mënyra , koha dhe arsyetimi për rrëzim të qeverisë Kurti ka qenë krejtësisht jo e drejtë dhe në kundërshtim me moralin. Albin Kurti e quan Avdullah Hotin dhe qeverinë e Kosovës si ilegjitime që nuk është e vërtetë shkaku se qeveria  Hoti e ka kaluar votimin në Kuvend. Kontestimi i votës së Etem Arifit është kryesisht nga aspekti moral kurse në aspektin ligjor nuk ka asnjë mundësi të kontestohet për faktin se ai ka pasur mandat të deputetit për të votuar. Infrastruktura ligjore e ngatërruar e ka shkaktuar këtë problem . Lëshimi i parë , edhe moral , edhe ligjor është i deputetit Etem Arifi i cili , pasi e ka pranuar aktgjykimin e formës së prerë nuk i ka informuar institucionet përgjegjëse . Në një shtet normal , për këtë mëshejhe e që mund të konsiderohet si falsifikim i gjendje së vërtetë , ish – deputeti Arifi do të duhej të përgjigjej para ligjit. Lëshimi tjetër substancial është i Gjykatës  kompetente që , pas aktgjykimit të formës së prerë , nuk i ka informuar menjëherë Kryesinë e Kuvendit , kryetaren dhe sekretarin e Kuvendit si edhe Komisionin Parlamentar për Legjislacion  në mënyrë që të ndërmarrin veprimet e duhura për zëvendësimin e deputetit Arifi , me deputetin e radhës. Në rastin konkret , LVV ka të drejtë morale , të tjerët , në mungesë të informatës për këtë rast kanë të drejtë ligjore dhe nuk kanë fare përgjegjësi.

Por edhe pa rastin Arifi , situata është e rëndë për faktin se Qeveria Hoti nuk po ka numra për draftim të ligjeve e as Kuvendi për votim të ligjeve. Nga kjo situatë mund të dilet me zgjedhje të reja të cilat nuk e bedoj se do ta krijojnë një situatë më të mirë edhe nëse LVV i merr 50% të votave. Deri tani LVV ka dëshmuar probleme të theksuara në qeverisje , si në planin qendror ashtu dhe ate lokal.  Nëse ka mbledhur mendë nga pësimet , atëherë mund të jetë më mirë. LVV – ë për fillim duhet krejtësisht ta eliminojë hakmarrjen sepse , siç thotë Konfuçi : “ nëse shkoni të hakmerreni , atëherë duhet të hapni dy varre …” . Ashtu ndodhi në blic qeverisjen e LVV-së.  Nëse LVV planifikon koalicion me AAK-në atëherë duhet ta plotësojnë kushtin e Ramushit. Presidentin për Ramushin ! AKR asgjë nuk i ndihmon LVV –së ndonëse Pacolli fort po e mbështetë LVV –në dhe Albinin. Duket se bisedimet me Serbinë është : “ kafshatë që nuk kapërdihet .. “ për LVV –në dhe Albinin. Nëse kundërshton bisedimet , atëherë ia shkurtojnë mandatin kurse nëse i pranon kushtet , njëjtësohet me të tjerët ! Në momentin kur të qetësohet pandemia , në sipërfaqe do të dalin shumë probleme sociale dhe ekonomike e që do të përdoren edhe politikisht dhe , mos qofsha në lëkurën e kryeministrit në atë kohë ! Mundësia tjetër është koalicioni i gjerë i të gjitha subjekteve politike duke e lënë opozitën të vetme LVV-në. Ky koalicion , në zgjedhjet lokale do të pësonte shumë anipse e ka pushtetin qendror. Në fund të fundit , si çdo herë deri më tani , asnjë koalicion nuk bëhet pa mamitë ndërkombëtare ! E mira e së mirës është që të gjitha subjektet  politike të bëhen bashkë , të arrijnë një konsensus nacional , politik dhe shtetërorë në mënyrë që pasojat e bisedime të jenë sa më të lehta dhe sa më të menaxhueshme ! Asociacioni i Serbisë në Kosovë do të formohet sipas Marrëveshjes së Brukselit për atë treqët e BE-së po kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës , Ne po e kundërshtojmë verbalisht sikur që gjithmonë kemi kundërshtuar por , në fund gjithmonë është materializuar kërkesa e ndërkombëtarëve me një ambalazhim dhe premtim mashtrues të cilin politikanët e vendit e kanë pëprdorur si arsyetim. Kujtojeni librralizimin e vizave !Nukj mbeti kush pa na rrejtur dhe mashtruar . Në aspektin psikologjik dhe kur jeni inferior dhe i pafuqishëm , më shumë i besoni një rrente të bukur se një të vërtete !

LVV –ë po insiston në zgjedhje sepse është e sigurt se i fiton. Lista Serbe po insiston në zgjedhje duke i bërë presion institucioneve të Kosovës në kohën kur duhet të votohet Buxheti i Kosovës . AAK-ë , zgjedhjet i ka si vegëz dhe kusht për postin e presidentit , nëse bëhet me Hotin , mirë , nëse jo , atëherë shkohet në zgjedhje , pas një marrëveshje me LVV –ë dhe Albin Kurtin.  LDK-ë dhe PDK-ë , ndonëse po deklarohen se janë të gatshme për zgjedhje , nuk e besoj se e kanë seriozisht dhe se janë të sinqertë ! Nuk i duan zgjedhjet në këtë kohë !

Dhe , problemi kryesor në Kosovë është se rezultatin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme , nëse ato do të organizohen , nuk do ta certifikojë KQZ-ë dhe Valdete Daka por Gjykata Speciale dhe Jack Smith. Ata edhe do të jenë votuesit kryesorë !

Postime të ngjashme

Mos eja shpesh në Bruksel Albin Kurti

Z H

Lufta e Kosovës dhe bombardimi i NATO-s kundër Serbisë dhe “haxhiqamilizmi”

Z H

MOS NËNÇMONI DIASPORËN SHQIPTARE!

admin

KUSH TENTON TA PENGOJË RRUGËN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS?

R Zh

Musliu / Zaev, s’të ka faj Bashkimin Evropian, por përvjeli krahët e kryejë fillimisht detyrat në shtëpi

R Zh

Partia Demokratike e Kosovës dhe sfidat e saj sot

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...