Shkup, 2 dhjetor – Zhurnal.mk – Me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja, sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ka vazhduar gjykimi për organizatorët e ngjarjeve në Kuvend më 27 prill 2017, informon Zhurnal.
Deputeti Afrim Gashi si dëshmitar i ftuar nga mbrojtja, tha se ka qenë koordinues i grupës së deputetëve të Besës dhe ka marë pjesë në mbledhjen koordinuese para seancës konstituive.
“Më 27 prill gjatë ditës kam qenë në Kuvend dhe pasdite nuk munda të mar pjesë, por e di se mblidhnim nënshkrime për vazhdimin e seancës konstituive të premten”, tha Gashi.
I pyetur nëse kryetari i atëhershëm i Parlamentit Trajko Veljanovski ka pamundësuar të drejtën e dikujt për fjalë, Gashi thotë se Veljanovski ka respektuar rregulloren e Kuvendit.
Lidhur me këndimin e himnit nga ana e deputetit Zekirija Ibraimi, Gashi tha se ata asnjëherë nuk kanë biseduar për një plan të tillë.
Tani radhën për të dëshmuar e ka Sanja Ugrinovska Spasenovska.
Rasti ndodhet në procedurë dëshmuese dhe e udhëheqë Ilija Trpkov, ndërsa përfaqësues i akuzës është Villma Ruskoska.
Të akuzuar në këtë lëndë janë ish kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski, ish ministrat për transport dhe lidhje dhe i arsimit, Mile Janakieski, Spiro Ristovski, si dhe ish drejtori i DSK-së, Vlladimir Atanasovski.
Ata ngarkohen për veprën penale “rrezikim terroristik të rendit kushtetues dhe sigurisë”.//Zhurnal.mk