Agjencia Zhurnal.KS
Bota

Azerbajxhani feston, Armenia në krizë pas marrëveshjes për Nagorno Karabakun

Qeveria e Armenisë ka paralajmëruar opozitën kundër përpjekjes për një “grusht-shteti”. Opozita planifikon mbajtjen e një proteste në Jerevan më 11 nëntor për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Nikolla Pashinian.

Tensionet politike po rriten në vendin e Kaukazit pasi Pashinian nënshkroi një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia me Azerbajxhanin për t’i dhënë fund më shumë se gjashtë javësh luftimesh midis Azerbajxhanit dhe armenëve etnikë në dhe rreth rajonit të shkëputur të Nagorno Karabakut.

Ndërsa njoftimi për një marrëveshje armëpushimi ngjalli festime në Azerbajxhan, ajo shkaktoi protesta në kryeqytetin armen. Azerbajxhanasit festuan në rrugët e Bakus pasi më 9 nëntor pasi u nënshkrua marrëveshja.

Më 10 nëntor, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha se marrëveshja arriti pas një “kapitullimi” nga Armenia.

Ndërsa në Armeni, demonstruesit sulmuan ndërtesat qeveritare dhe parlamentin.

Përpara protestës së planifikuar të opozitës, policia armene paralajmëroi se mbajtja e tubimeve vazhdon të jetë e ndaluar në vend, në bazë të një ligji ushtarak i cili është në fuqi që kur shpërthyen luftimet e fundit më 27 shtator.

Duke folur në televizionin shtetëror, zëvendëskryeministri, Tigran Avinian nuk përjashtoi mundësinë që qeveria aktuale të japë dorëheqjen, por paralajmëroi kundër çdo përpjekjeje “grusht shteti”.

“Unë dua të siguroj të gjitha forcat politike se nuk do të ketë tolerancë në këtë çështje”, tha zëvëndëskryeministri.

“Nëse është e nevojshme, kjo qeveri do të shkojë, një qeveri e re do të zgjidhet, por ekipi ynë dhe unë personalisht nuk mund të lejojmë ndonjë përpjekje për grusht-shtet”, tha Avinian.

Presidenti armen, Armen Sarkisian, ka filluar “konsultime” me përfaqësues të disa partive politike në një përpjekje për të zbutur tensionet dhe për të ruajtur “unitetin” kombëtar, tha zyra e tij.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Rusia, e cila përfshin vendosjen e trupave paqeruajtëse ruse në Nagorno Karabak, Azerbajxhani do të mbajë territorin në rajon dhe zonat përreth të kapura gjatë luftimeve të fundit.

Ajo gjithashtu bën thirrje që forcat armene të dorëzojnë disa zona që ajo mbajti jashtë kufijve të Nagorno Karabakut.

Më shumë se 400 trupa ruse tashmë janë vendosur për të qenë pjesë e një misioni paqeruajtës pesëvjeçar “për të kontrolluar zbatimin e armëpushimit dhe përfundimin e armiqësive në zonën e konfliktit të Karabakut”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes të Rusisë.

Pothuajse 2,000 trupa ruse do të jenë përfundimisht aktive në rajon dhe ata do të ruajnë të ashtuquajturin “Korridori Laçin” që lidh qytetin kryesor të Nagorno Karabakut, Stepanakert, me Armeninë. Dhjetëra transportues të blinduar të personelit do të vendosen gjithashtu si pjesë e misionit paqeruajtës.

Armëpushimi erdhi pasi forcat azerbajxhanase bënë përparime të mëdha në fushëbetejë, përfshirë raportet se ata po i afroheshin Stepanakert pasi morën qytetin strategjik aty pranë Shushi, të njohur si Susa në Azerbajxhan.

Pse u luftua në Nagorno Karabak?

Nagarano Karabaku njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por armenët etnikë që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë refuzojnë sundimin e Azerbajxhanit. Ata kanë qeverisur rajonin, me mbështetjen e Armenisë, që kur trupat e Azerbajxhanit u dëbuan nga rajoni në një luftë që përfundoi me një armëpushim në 1994.

Që kur luftimet shpërthyen në fund të shtatorit, disa mijëra njerëz besohet të jenë vrarë nga të dy palët.

Përpjekjet për të zgjidhur konfliktin nga Grupi i Minskut i OSBE – i bashkëkryesuar nga Rusia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara – nuk kanë sjell ndonjë rezultat që nga viti 1992 dhe tre armëpushime të mëparshme të nënshkruara që kur luftimet shpërthyen përsëri më 27 shtator dështuan të sjellin rezultate.

Roli turk

Marrëveshja për ndaljen e luftimeve përmbanë një referencë të paqartë të një pranie turke në një “qendër të përbashkët monitorimi armëpushimi” – duke shkaktuar konfuzion rreth rolit që forcat turke mund të luajnë në operacionet e ardhshme paqeruajtëse.

Fuad Shahbazov, një analist kërkimor në Qendrën për Komunikime Strategjike me bazë në Baku, i tha Radios Evropa e Lirë se referenca turke ishte e nevojshme që presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, të pranonte të lejonte paqeruajtësit rusë në tokën azerbajxhanase.

“Azerbajxhani ra dakord me paqeruajtësit rusë vetëm me kushtin që ushtarët turq gjithashtu të jenë të pranishëm në vend”, tha ai.

Turqia është një aleate e ngushtë e Azerbajxhanit.

“Ne ende po pyesim për detajet – çfarë do të bëjnë forcat turke dhe ku do të vendosen saktësisht. Unë nuk e di nëse do të ketë një numër të madh të trupave turke. Rusia do të jetë qartë e pakënaqur nëse ka një numër të madh të forcave turke”, tha ai./REL/

Postime të ngjashme

Afrikë, shkon mbi 110 mijë numri i vdekjeve nga COVID-19

S.B.

Vendimi për lockdownin gjatë pashkëve, Merkel u kërkon falje gjermanëve

S.B.

Borell: BE synon krijimin e rrjetit për parandalimin e sulmeve kibernetike

S.B.

Blinken vazhdon presionin ndaj Berlinit mbi ”Nord Stream 2”

S.B.

SHBA i kërkon Johnson & Johnson respektimin e kontratave të furnizimit

S.B.

Merkel kthen mbrapsht vendimin për mbyllje totale gjatë Pashkëve

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...