Shkup, 2 dhjetor – Një ditë pas emërimit për përfaqësues special për Bullgarinë, edhe ish kryeministri Vllado Buçkovski nuk ka asnjë shpresë se mund të ndodh mrekulli dhe të fillojmë negociatat me BE. Ai megjithatë thotë se është i bindur se do të tejkalohet kontesti me fqinjin lindor në të ardhmen e afërt.
“Nuk e di nëse mundet të ndodh mrekulli për një javë. Por atë që më bindi ministri është se deri në moment të fundit do të duhet të luftojmë për të gjetur zgjidhje. Jam i bindur se do të gjejmë zgjidhje por jo për 7 dit. Ndoshta do të nevojitet kohë shtesë por jemi në rrugën e drejtë”, tha Përfaqësuesi Special për Bullgarinë, Vllado Buçkovski.
Çfarë do të ndërmarrë saktësisht dhe me kë do të ketë takime dhe biseda, nëse dihet se niveli i kontakteve është Zaev me Borisov-in, ndërsa Osmani me Zaharievën!? Buçkovski nuk zbulon, thotë se ka përvojë dhe informacione nga rrethi ndikues në Sofje. Thotë se duhet më seriozisht të përdoren instrumentet nga marrëveshja.
“Komisioni punon në mënyrë intensive, kemi instrumente që na i jep Marrëveshja për miqësi dhe bashkëpunim, nëse shfrytëzoheshin ato instrumente deri më tani, kjo krizë nuk do të ndodhte”, u shpreh Buçkovski.
Sipas ministrit Osmani, emërimi i Buçkovskit si përfaqësues special do të thotë rritje e besimit në dialogun politik mes të dy vendeve.
“Mendoj se z. Vllado Buçkovski do të jetë faktor i rëndësishëm i cili do ta kthejë besimin se Qeveria është e përkushtuar, me emërim të personave të atij kalibri siç është një ish kryeministër i cili do t’i ndjekë planet, do ta koordinojë komunikimin me Republikën e Bullgarisë duke i tejkaluar dallimet aktuale”, tha Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Pyetjes se cilat janë kriteret sipas të cilave u zgjodh Buçkovski si përfaqësues special , nga Qeveria theksuan se bëhet fjalë për person me përvojë i cili i njeh gjendjet me Bullgari. Sipas VMRO-DPMNE-së emërimi i Buçkovskiot është përpjekje e dëshpëruar që të gjendet viktimë për dështimin e Zaevit dhe i njëjti t’i adresohet Buçkovskit. Përndryshe të martën në Bruksel do të mbahet takimi i Këshillit të ministrave në të cilin sipas të gjitha gjasave Bullgaria do t’i vendosë veto Maqedonisë.