Agjencia Zhurnal.KS
Opinion

BURRAT E BURRAVE

Shkruan: Fadil Lepaja

Lotët e Jakupit tronditën rrjetet sociale dhe zemrat e shumicës së
qytetarëve të këtij vendi. Fjala e tij, u shpërnda nëpër rrjete më shumë se
fjala e të tjerëve. Për dallim, ish presidenti nuk qau. Ishte i mërrolur
dhe i vendosur, përpara gjykatës për të cilën u angazhua më shumë se të
gjithë.

Dikujt, duke u munduar të kuptojë se kush janë këta”burrat e burrave, mund
t’i ketë shkuar mendja në të plotë fuqishmin e politikës tonë, ambasadorin
Grenell, i cili me mesazhe në Twiter e drejtonte politikën kosovare,
krijonte e rrëzonte konjuktura, rrëzonte e ngrinte qeveri, dhe pajtonte
kombe. Jo vetëm kombe, por edhe civilizime. Por, nuk e kemi fjalën për të.
Larg qoftë, nuk kem preferenca në politikën amerikane, as orientimi seksual
i ambasadorit nuk është me interes për këtë shkrim, sa metafora e cila nuk
duhet marrë në kuptimin e parë. Për të dihej se, në kuptimin metaforik të
fjalës, ishte burri i burrave në politikën kosovare, por nuk ka të bëjë me
titullin tonë. Pra kush janë “burrat e burrave”?

Mbi të gjitha metafora për burrat e burrave, është pjesë e historisë së
dhimbshme të grave tona, atyre që ishin heroina, shumë kohë përpara se të
dhunoheshin nga paramilitarët dhe ushtritë pushtuese. Qysh thotë edhe
filozofi ynë popullorë dhe dëshmitari i pambrojtur “Y”, nënat tona krejt
ishin me një këmbë, apo me një dorë sakat nga të rrahurat e burrave.
Prapëseprapë, ato nuk dorëzoheshin, dhe plot përkushtim e sakrificë
vazhdonin të shërbenin nëpër shtëpi dhe arat tona duke u dërguar ushqimet
burrave që punonin. Punët e rënda të burrave ishin vetëm mit, si mësojmë
prej dëshmitares tjetër të pambrojtur “Z”, e cila këtë e kishte thënë në
profilin e saj (të rrejshëm) në Twitter.

Pra, po të mos ishin dëshmitarët e pambrojtur, familjet tona tradicionale
ende do të njiheshin si epike për gjeneratat më të reja. Burrat do të ishin
“heronj” e gratë “heroina”. Por, sërish sipas tyre, ato dhunoheshin përditë
nga burrat e tyre, të cilët siç e dimë edhe nga poezia e famshme, rrinin
nën hije e kuvendonin, derisa ato e mbanin shtëpinë.

Histori na mëson, se në kohën e aksionit të armëve, viteve të pesëdhjeta të
shekullit të XX, policia serbe i nxirrte burrat e shtëpisë në oborr, i
lidhte për pemë apo lisa dhe i rrihte, para grave e fëmijëve. Legjenda
thotë se kishte nga gratë e keqtrajtuara, mjaftë të cilat në këso raste
komentonin nënë zë se këta qenkan burrat e burrave. U dhimbseshin se i
rrihnin, dhe kush i rrihte, por edhe u flladitej shpirti kur kujtonin se
çka kishin hequr vet prej burrave të tyre.

Këtu, tash e tutje, çdo ngjashmëri me traditën mund të kuptohet si
politike. Pak a shumë, njëjtë, me të njëjtin fllad në zemër, komentojnë sot
nëpër rrjete sociale shumë nga ata të cilët, pas luftës çlirimtare,
ndiheshin të keqtrajtuar nga çlirimtarët. Menjëherë pas lufte, disa nga
krye çlirimtarët hoqën shpejt uniformat dhe u bënë politikanë, u bënë të
pasur, të fuqishëm, madje të plotë fuqishëm edhe pse shumica e
bashkëluftëtarëve të tyre mbetën heronj të heshtur, shpesh të varfër, por
të përkushtuar të ndërtojnë vendin. Për të vrarët dhe kreun u kënduan
këngë, të tjerët duartrokisnin.

Burrat e fuqishëm të politikës kosovare, e bënë shpeshherë të qaj gjithë
popullin, prej pafuqisë popullore për të ndërruar diçka në këtë vend,
ndërkohë që vendi po e merrte humnerën nën drejtimin e tyre. Jakupi nuk
qau kur opozita po ja rrëmbenin mikrofonin nga dora, në parlament, duke
kërkuar ndryshime. Nuk qau as në luftë. Por, lotët i rrodhën në gjykatën
speciale. Përderisa ish presidenti në gjykatë po mbante qëndrim të fortë,
Kupa qau. Ata u konfrontuan në politikë për këtë gjykatë, ndërkohë që tash
ndodhen në bankën e të akuzuarve.

Përderisa Hashimi ka mjaft të (pa) bëma, Jakupin, ata që nuk e njohin, do
të e mbajnë mend në të ardhmen, ndoshta nga tri paraqitje të famshme
publike: paraqitjen e parë si zëdhënës i UÇK, skenën kur opozita po i
rrëmbenin nga duart mikrofonin e tij të kryetarit të parlamentit dhe së
fundmi nga lotët e tij në gjykatën speciale të Kosovës. Ne që e njohim e
dimë për një burrë të urtë, të përkushtuar, dhe për një jetë në shërbim të
popullit. Mund të debatohet për pikëpamjet e tij, sa janë moderne e sa
qytetare, por jo edhe për përkushtimi i tij. Lotët e tij tregojnë pafuqinë
atë që ndien pak a shumë çdo kosovarë me dinjitet përpara fuqisë së
qendrave politikës globale të cilat ende nuk ja njohën lirinë dhe ende e
mbajnë të izoluar. Nëse kishte burrë, në politikën kosovare të pasluftës,
ky ishte Jakupi. Të tjerëve vështirë se u dallohej “gjinia” politike, duke
përfshirë këtu edhe shefin.

A janë lotët e Jakupit, lotët tonë të pafuqisë përballë (pa)drejtësisë
ndërkombëtare? Kush na bënë të (pa) fuqishëm? A duhet të qajmë edhe ne me
ta, të protestojmë apo të “flladitemi” nga kjo që po (na) ndodhë? A janë
këta “burrat” e politikës tonë dhe a janë ata që po i lidhin, “burrat e
burrave”?

Këto gjykime në mos asgjë tjetër do të na përballin me veten dhe do të
hapin debate të brendshme për luftën dhe pasluftën tonë. Këto do të jenë
lufta jonë ose dialogu ynë i brendshëm që do të përcaktojë të ardhmen
evropiane të këtij vendi. Do të marrim një përgjigje sidomos në një dilemë
bazike: e vranë apo jo këngën e tyre, të cilën populli ua këndoi për së
gjalli.
Tash për tash, mendimet janë të ndara. Populli do të dëgjoj pas fjalës së
akuzës edhe fjalën e të akuzuarve. Do të dëgjoj edhe fjalën e viktimave.
Deri sot populli fliste nën zë. Pavarësisht verdiktit në Hagë, gjykimi i
fundit, si gjithnjë, vjen prej popullit.

Postime të ngjashme

Mos eja shpesh në Bruksel Albin Kurti

Z H

Lufta e Kosovës dhe bombardimi i NATO-s kundër Serbisë dhe “haxhiqamilizmi”

Z H

MOS NËNÇMONI DIASPORËN SHQIPTARE!

admin

KUSH TENTON TA PENGOJË RRUGËN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS?

R Zh

Musliu / Zaev, s’të ka faj Bashkimin Evropian, por përvjeli krahët e kryejë fillimisht detyrat në shtëpi

R Zh

Partia Demokratike e Kosovës dhe sfidat e saj sot

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...