Shkup, 13 nentor – Pushimi dimëror për nxënësit do të fillojë sipas kalendarit të publikuar nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, njësoj si në vitet e kaluara, pra në janar, tha Ministrja e Arsimit Milla Carovska gjatë vizitës në Manastir.
Carovska përkujtoi se tremujori i parë do të përfundojë deri më 20 nëntor ku nxënësit do të notohen dhe tremujori i dytë do të përfundojë deri në fund të vitit. Semestri i dytë për të gjithë nxënësit do të fillojë më 21 janar, konfirmoi Carovska. Deri atëherë, nuk parashihet kthimi i nxënësve fizikisht në banka.
Sa i përket matyrës shtetërore, Carovska rikonfiroi se do të mbahet sipas afatit ligjor, në qershor të vitit të ardhshëm.
“Do të doja që t’i inkurajoj nxënësit që deri në fund të nëntorit të zgjedhin detyrën projektuese në kuadër të maturës e që duhet dhe deri në fund të muajit të ardhshëm të zgjedhin lëndën në të cilët duan ta japin maturën shtetërore. Nuk duam që pandemia të pengojë zhvillimin e nxënësve të cilët janë e ardhmja jonë. Pikërisht për këtë, sipas afateve ligjore, matura do të mbahet në qershorin e ardhshëm”, tha Carovska.
Sipas saj, matura shtetërore mbahet në të gjithë vendet e rajonit dhe në vendet evropiane.