Gratë-Të pasionuara pas purove (VIDEO)
"Vëllau" i madh i Qeverisë BDI, shumë pasiv
Shtetësia e Maqedonisë, së shpejti vetëm me një dëshmi mund të merret
Kontrolle të rrepta për policinë e burgjeve, në procedur ndryshime ligjore
Dy termocentrale me koncesion? Qeveria u hap rrugë projekteve të Korçës dhe Kuçovës
Tec-Korce-2-804.jpg

Tiranë, 12 nëntor - Një vendim i fundit i qeverisë për një ndryshim tek ligji “Për koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat” ka marrë vëmendje të gjerë, duke e vënë theksin tek përjashtimi që do të kenë nga skema tipike e PPP kërkesat e investitorëve strategjikë.Bëhet fjalë për ato projekte hidrocentralesh që kalojnë kapacitetin e instaluar 2 MW dhe kanë vlerë investimi mbi 100 milionë euro. Por drafti në Kuvend trajton një çështje shumë më të rëndësishme sesa HEC-et.

 

Hapet rruga për termocentralet e reja

 

Përjashtimi nga skema tipike e Partneritetit Publik Privat (kjo lidhet me burokracinë dhe afatin e gjatë që ka kjo skemë) vlen edhe për termocentralet. Për herë të parë në ligjin “Për koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat” përmendet pjesa e termocentraleve të cilët do të kalojnë me procedurë të përshpejtuar. Konkretisht ndërhyrja bëhet në nenin 5 të ligjit ku përcaktohen rastet e përjashtimit, që do të thotë se këto raste do të trajtohen me procedura të ndryshme nga ajo që përcakton ligji.

 

Pra ky ligj nuk do të zbatohet “për ndërtimin dhe shfrytëzimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi, si dhe termocentraleve, përveç hidrocentraleve me kapacitet të instaluar mbi 2 Mw dhe me vlerë investimi më pak se 100 milionë euro”. Ky ndryshim i pikës (i) të nenit 5 në ligj sjell një logjikë krejt të re krahasuar me pikën e vjetër që ka ligji sot, ku thuhet se ligji për Partneritetet Publike Private nuk zbatohet “për koncesionet e punëve publike që janë dhënë për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e hidrocentraleve për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike”.

 

Argumenti i ndryshimit të ligjit

Në relacionin e projektligjit për koncesionet dhe partneritetet të depozituar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë jepen argumentet se pse qeveria ka vendosur të bëjë këtë ndryshim duke e lidhur me përshpejtimin e procedurave që për shkak të kohëzgjatjes largojnë investitorë strategjikë. “Përjashtimi i hidrocentraleve me kapacitet të instaluar mbi 2 Mw dhe me vlerë investimi jo më pak se 100 milionë euro si dhe termocentraleve nga procedurat e parashikuara në ligjin nr.125/2013, të ndryshuar, do të mundësojë thithjen e investimeve strategjike të huaja dhe atyre vendase duke synuar përshpejtimin e realizimit të projekteve elekroenergjetike dhe duke krijuar në të njëjtën kohë edhe kushtet për përmirësimin e situatës ekonomike të vendit”, thuhet në relacion. Kjo është hera e parë që në legjislacion futet për t’u trajtuar me procedura lehtësuese edhe pjesa e termocentraleve.

 

Zakonisht nevoja për energji, potenciali në sektorin hidrik dhe Termocentrali famëkeq i Vlorës, i cili nuk ka punuar asnjë ditë të vetme, e kanë eklipsuar tërësisht këtë pjesë. Kjo nismë nuk është një rastësi, po të kemi parasysh që qeveria e ka vënë theksin tek diversifikimi i burimeve të energjisë, si një garanci për sigurinë, diçka që Shqipëria nuk e ka dhe vetëm këtë vit i ka marrë 178 milionë euro në importe. Tashmë çdo investitor i interesuar për sektorin energjetik dhe projekte konkrete në hidrocentrale apo termocentrale do ta ketë më të thjeshtë në aspektin e procedurave.

Qeveria prezantoi në fillim të këtij viti masterplanin që lidhet me gazifikimin e vendit. Gjetjet e këtij studimi ishin të shpërndara në disa aspekte, duke e lidhur mes të tjerash potencialin që ka Shqipëria për shfrytëzimin e gazit (konsumatorët familjarë dhe bizneset), gjurmën kryesore dhe që është rentabël, rigjallërimi i industrisë së plehrave kimike, por edhe ndërtimin e termocentraleve.

 

Aktualisht në vend është i ndërtuar vetëm Termocentrali i Vlorës, i cili nuk është vënë punë për dy arsye, e para një defekt në sistemin e ftohjes dhe e dyta kostoja e lartë e prodhimit. Masterplani i gazit bën të qartë se veç termocentralit të Vlorës, janë dy pika shumë të mira në Shqipëri që mund të shfrytëzohen për ndërtimin e dy projekteve të tjera të ngjashme.

Një prej tyre, në Korçë dhe një në Kuçovë, të dy TEC-e (Turbina Gazi me Cikël të Kombinuar) projekte të rinj dhe që kanë lidhje me avantazhet që ofron projekti i gazsjellësit TransAdriatik në vendin tonë. Propozimi për ndërtimin në këto zona lidhet drejtpërdrejt me faktin se lidhjet nga gazsjellësi me zonën e planifikuar për ndërtim janë relativisht të afërta. “TEC-i i Korçës do të furnizohet me gaz nga një pikë lidhjeje me gazsjellësin TAP, vendi më i përshtatshëm i së cilës është pranë fshatit Zëmblak.

 

TEC-i i Kuçovës do të furnizohet me gaz nga një pikë lidhjeje me gazsjellësin TAP, vendi më i përshtatshëm i të cilës do të ishte midis fshatrave Poshnjë dhe Otllak, në zonën ku TAP kalon pranë qyteteve të Beratit dhe Kuçovës” thuhet në Masterplan. Në masterplan, të dy TEC-et e mundshëm janë konsideruar si ngarkesa spirancë. Plani për përfundimin e dy projekteve është që në vitin 2030 të nisin prodhimin, duke i dhënë fund problematikës që mbart hidriku.

“TEC-et me gaz natyror supozohet të jenë plotësues të energjisë elektrike të gjeneruar nga burime hidrike dhe burime të tjera të rinovueshme, për të balancuar luhatjet e prodhimit nga këto burime, për të siguruar energjinë e nevojshme gjatë periudhave të pikut të ngarkesës, si dhe për të ofruar shërbime dytësore (balancim, etj.) për sistemin elektrik”. Secili nga TEC-et e Korçës dhe Kuçovës do të kërkojë rreth 2 hektarë sipërfaqe toke, e cila mund të rikuperohet vetëm në fund të jetës së TEC-it.

Zona e mundshme për ndërtimin e TEC-it të Korçës ndodhet pranë nënstacionit elektrik të Zëmblakut dhe pranë dy linjave elektrike ajrore të tensionit të lartë: linjës 400 kV Shqipëri – Greqi, dhe linjës 110 kV që lidh nënstacionin e Zëmblakut me Korçën.

Prodhimi i parashikuar nga ky termocentral është 750 gigavat/orë për një sasi 124 milionë m³gaz. Deri në vitin 2035 parashikohet një rritje progresive në 760 gigavat/orë me një sasi gazi 126 milionë m³. Ajo që rekomandohet që të shihet me kujdes në masterplan për termocentralin e Korçës është studimi i mirë i zonës ku do të ngrihet, pasi konsiderohet me pasuri të lartë të trashëgimisë.

 

“Në zgjedhjen përfundimtare të vend-ndërtimit të TEC-it duhet marrë në konsideratë: përdorimi i tokës, zonat me rrezik përmbytjeje, karakteristikat gjeoteknike, sidomos rreziku i uljes së terrenit dhe thyerjet tektonike, distanca optimale nga CP e gazsjellësit TAP, nga nënstacioni i Zëmblakut, nga linjat e tensionit të lartë 400kV dhe 110kV, nga rruga kombëtare dhe nga shtëpitë më të afërta, vendndodhja e pendës së Devollit në grykën e Cangonjit”.

 

Termocentralet përfshijnë në vetvete edhe sistemin e ftohjes dhe një nga aspektet që duhet parë me kujdes është mënyra sesi do të operojë ky sistem. Në analizë për termocentralin e Korçës janë marrë dy lumenj, Devolli dhe Dunaveci. “Prurja vjetore mesatare e Dunavecit është rresh 1m³/s, ndërkohë që ajo e Devollit është rreth 5m³/s.

Duke u mbështetur në këto shifra dhe në nevojat për ujë të sistemit të ftohjes së TEC-it, ky i fundit duhet të vendoset pranë lumit Devoll. Duhet theksuar se në lumin Devoll, rreth 200 m në lindje-perëndim të nënstacionit të Zëmblakut, mbi lumin Devoll, është ndërtuar një pendë për qëllime vaditjeje. Kjo pendë mund të jetë e dobishme për marrjen e ujit për ftohjen e TEC-it të ardhshëm të Korçës”, thuhet në dokumentin pjesë e Masterplanit. Duke qenë projekte të rëndësisë së veçantë, zonat e ndërtimit të termocentraleve duhet të zgjidhen me kujdes për efektet që mund të kenë faktorët natyrorë. Për rastin e Korçës kërkohet një zgjidhje optimale si për sa i përket përmbytjeve ashtu edhe pjesës së fundosjes.

 

Nga Cangonj deri në Maliq, lumi i Devollit kalon mes tokash të ulëta, një pjesë e të cilave, deri në vitin 1948, ishte mbuluar nga këneta e Maliqit. Megjithëse kjo kënetë u tha në vitin 1948 dhe u transformua në tokë bujqësore, ekziston rreziku i përmbytjeve nga lumi i Devollit në periudha reshjesh shumë të forta. Për më tepër, gjithë zona e ish-kënetës është e prekur nga fenomeni i fundosjes së tokës. Si rrjedhojë, zgjedhja e vendit të ndërtimit të TEC-it të ardhshëm të Korçës duhet të shmangë ish- kënetën. Në këtë fazë të studimit, do të rekomandohej që vendi i ndërtimit të zgjidhej midis fshatit Cangonj dhe ish-kënetës së Maliqit.

 

Termocentrali i Kuçovës

Zona e mundshme për ndërtimin e TEC-it të Kuçovës përfshin një linjë ajrore të tensionit të lartë prej 220kV, e cila lidh Elbasanin me Fierin, linjën e tensionit të lartë prej 110kV, e cila lidh Kuçovën me Marinzën, linjën e ardhshme tension i lartë prej 400kV, e cila do të lidhë Elbasanin me Fierin dhe aeroportin ushtarak të Kuçovës. Në rastin e termocentralit të Kuçovës ka një theks të vendosur tek mënyra se ku do të ndërtohet dhe aspektet që duhet të kihen parasysh duke qenë se kjo zonë është e njohur për rezervat e saj naftëmbajtëse.

“Infrastruktura e zonës përfshin, ndër të tjera, një numër kullashm pusesh nafte dhe dy tubacione nafte, të cilat duhen shmangur gjatë zgjedhjes së vendit të ndërtimit të TEC-it të ardhshëm të Kuçovës”, thuhet në studim. Pjesa kryesore e zonës së mundshme për ndërtimin e TEC-it të ardhshëm të Kuçovës shtrihet mbi zhavorret ujëmbajtëse Kuaternare të Beratit, prej nga furnizohen të gjithë fshatrat e zonës me ujë të pijshëm, nëpërmjet puseve hidrogjoelogjike të shpuar në zonën midis fshatrave Banaj dhe Çiflik.

Gjithsesi sipas vlerësimeve të bëra duket se nuk ka ndonjë kërcënim për depërtim të ujërave sipërfaqësore në këto puse. Edhe në rastin e këtij termocentrali, është marrë në analizë mundësia që ka për shfrytëzimin e lumenjve në sistemin e ftohjes, si dhe për rrezikun e përmbytjeve. “Zona e Kuçovës përshkohet nga dy lumenj: Devolli dhe Osumi, të cilët bashkohen pranë fshatit Arrëz për të formuar lumin Seman. Prurja mesatare vjetore e lumit Osum, në stacionin e matjes në Urën Vajgurore, është rreth 33 m³/s, ndërsa ajo e lumit Devoll në Kozare është rreth 47 m³/s. Bazuar në sa më sipër, si dhe në nevojat për ujë të sistemit të ftohjes së TEC-it me gaz, të dy lumenjtë e mësipërm kanë ujë mjaftueshëm për ftohjen e TEC-it të ardhshëm të Kuçovës”, nënvizon studimi.

Kjo do të thotë se çështja e sistemit të ftohjes nuk paraqet problem por më hollësishëm duhet parë ajo e përmbytjeve, pasi historiku i kësaj zone shfaqet problematik. Një pjesë e zonës së gjerë të projektit të TEC-it të ardhshëm të Kuçovës është subjekt i përmbytjeve nga të tre lumenjtë: Osumi, Devolli dhe Semani dhe sipas analizës së bërë kjo ka ardhur si rezultat i plotave dhe në vite të ndryshme.

 

Pavarësisht kësaj, situata duket se nuk paraqitet problematike dhe rekomandimi është që ndërtimi të bëhet në një zonë që është të paktën gjysmë metri mbi nivelin e lumenjve. Përmbytjet prej plotave nuk përfaqësojnë rrezik për TEC-in e ardhshëm, nëse vendndodhja e tij planifikohet të paktën 0.5 m më lart se sa brigjet e lumenjve. Një vendndodhje në kuotë më të lartë do të ofrojë siguri më të madhe ndaj përmbytjeve”, thuhet në dokument. Ashtu si termocentrali i Korçës, edhe ai i Kuçovës do të kenë fuqi të instaluar 200 MW por në tabelën e parashikimit të prodhimit jepet vetëm viti 2040. Në këtë vit, Termocentrali i Kuçovës pritet të prodhojë 756 gigavat/orë energji, me një konsum të gazit natyror prej 125 milionë m³.

TEC Vlora, me kapacitet 97 MW është ndërtuar në tetor të vitit 2011. Ndërtimi i këtij impianti erdhi si rezultat i nevojës që kishte vendi për shtimin e burimeve prodhuese. Pavarësisht objektivit të ndërtimit, në fakt kjo vepër nuk i ka shërbyer aspak diversifikimit. Kostoja e prodhimit të një kilovati energji vite më parë është vlerësuar në rreth 0.183 dollar, nëse prodhimi bëhet me naftë diezel nr.2 apo gazoil ndaj kjo parashtroi si variant mundësinë e gazit.

 

Qeveria po kryen aktualisht një studim fizibiliteti për mundësinë e përdorimit të gazit për prodhim energjie nga ky termocentral. Nga ana tjetër, qeveria ka shfaqur hapur qëndrimin e saj se ky objekt me vlerë mbi 100 milionë USD dhe që deri më tani vetëm ka rënduar xhepin e shtetit me shpenzime, mund të kalojë me Partneritet Publik Privat.

Investitorët e interesuar mund të zgjerojnë edhe më shumë kapacitetin e instaluar të termocentralit, pasi ai është projektuar dhe ndërtuar në mënyrë të tillë, që në të ardhmen të ketë mundësi të zgjerohet duke iu shtuar edhe dy blloqe të tjera të së njëjtës fuqi, duke arritur kështu në një fuqi totale të instaluar rreth 291 MW. /Monitor

 

"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."
 12.11.2017, 09:02  | Z.H. | 693 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

 Më tepër 

MË TË LEXUAR
Incident në zyrën e kryetares së Haraçinës, Milikije Halimi
Keriman me të dashurin super seksi vishet njëjtë, e habisin një qytet
« Lajmi i fundit » Të shtëna me armë në Çair, vritet një person e plagoset një tjetër
Mblidhet kryesia qendrore e Aleancës për Shqiptarët
"Vëllau" i madh i Qeverisë BDI, shumë pasiv
 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"


E-mail: info @ zhurnal.al

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.