Agjencia Zhurnal.KS
Bota

Diplomatja gjermane Helga Schmid pritet të jetë në krye të OSBE-së

Nën kryesinë e radhës së Shqipërisë, ka nisur dje takimi i radhës i OSBE-së dhe në seancën e sotme pritet të miratohet edhe stafi i ri kryesues. Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, iu falënderua personalisht, ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Edi Rama, për kompromisin e arritur me stafin e ri: „Kompromisi që kemi përpara u arrit, sidomos falë përpjekjeve të palodhshme të kryesisë shqiptare. Ju, i dashur Edi Rama, dhe ekipi juaj keni meritë që ekipi i ardhshëm drejtues, jo vetëm që ka një nivel të lartë kualifikimi, por për herë të parë në historinë e OSBE-së i përmbush të gjitha ambiciet për balancë gjinore dhe gjeografike. Për këtë ju jemi mirënjohës dhe ju falënderojmë“, tha shefi i diplomacisë gjermane në konferencën virtuale. Maas shprehu keqardhje që nuk ishte vetë në Tiranë për të shijuar „mikpritjen proverbiale“ të shqiptarëve.

OSBE-ja në krizë

Më parë, në fjalën e hapjes, kryetari i radhës së OSBE-së, Edi Rama, kishte vënë në dukje krizën në të cilën gjendet OSBE-ja: „Ne jemi në krizë, një krizë në përkeqësim. Kjo nuk është një situatë që i është shkaktuar organizatës nga vetë ajo, struktura apo njerëzit e saj sepse ajo duhet përgëzuar”, tha Rama dhe shtoi: “Kjo gjendje është shkaktuar vetëm nga ne, 57 vendet anëtare të OSBE-së.“

Rama u ankua për frymën e përçarjes që ekzistonte në OSBE, e ngjashme me kohën e Luftës së Ftohte. Në diplomacinë ndërkombëtare, sidoqoftë, OSBE-ja është “ndalesa e fundit, streha e fundit”, tha ai.

Vakuum pushteti

Edhe për postin e sekretarit të përgjithshëm, kishte pasur grindje në OSBE. Në verë sekretari i atëhershëm, zvicerani Thomas Greminger, nuk arriti ta zgjaste mandatin, për shkak të vetos nga ana e Rusisë dhe vendeve të Azisë Qendrore. Vijoi një vakuum pushteti prej disa muajsh.

Në krye të stafit të ri të OSBE-së, i cili pritet të miratohet sot, do të jetë diplomatja gjermane, Helga Schmid. Një emër që as në Gjermani nuk e njeh shumëkush, edhe pse 59-vjeçarja që tani ka një pozicion me shumë ndikim, si sekretare e përgjithshme e Shërbimit të Jashtëm të Europës, pra, numri dy i politikës së jashtme të BE-së.

Një diplomate me ndikim

Në diplomaci, mungesa e njohjes nuk është patjetër disavantazh, përkundrazi. Kjo vlen edhe për punën e mëparshme të Helga Schmidit. Për shembull, ajo ka luajtuar një rol kyç në negociatat midis BE-së dhe Iranit për programin bërthamor iranian, për të cilin i është dashur shumë takt. Edhe në politikat e BE-së ndaj luftës së brendshme në Ukrainë dhe konfliktit me Rusinë në vitin 2013 e 2014 ajo ka pasur një rol të rëndësishëm.

OSBE-ja përbëhet nga 57 shtete nga Evropa, Azia dhe Amerika e Veriut, ka dalë nga Konferenca për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (KSBE). Kjo u themelua në vitin 1975 në një Evropë që atëherë ishte ende e ndarë në blloqe. Në rolin e saj të ri, Helga Schmid do të duhet të merret me kriza që i njeh nga puna e saj ndërmjetësuese. As kriza e Ukrainës me Rusinë dhe as mosmarrëveshja mbi armët bërthamore iraniane nuk janë zgjidhur deri më tani. Por ajo do të merret edhe me konsolidimin e brendshëm të OSBE-së dhe rikonfirmimin e qëllimeve të saj si organizatë paqeje dhe sigurie./DW

Postime të ngjashme

Afrikë, shkon mbi 110 mijë numri i vdekjeve nga COVID-19

S.B.

Vendimi për lockdownin gjatë pashkëve, Merkel u kërkon falje gjermanëve

S.B.

Borell: BE synon krijimin e rrjetit për parandalimin e sulmeve kibernetike

S.B.

Blinken vazhdon presionin ndaj Berlinit mbi ”Nord Stream 2”

S.B.

SHBA i kërkon Johnson & Johnson respektimin e kontratave të furnizimit

S.B.

Merkel kthen mbrapsht vendimin për mbyllje totale gjatë Pashkëve

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...