Agjencia Zhurnal.KS
Shqipëri

Ditmir Bushati reagon për Progres-Raportin: Shqiptarët nuk ushqehen me ‘hapje dhe mbyllje’ hapitujsh

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i cili prej muajsh nuk ka qenë shumë aktiv me zhvillimet politike pas ftohjes së raporteve me drejtuesin e PS, nuk mund të qendronte indiferent ndaj Progres-Raportit të publikuar dje nga KE.

Në një shkrim në Facebook ai vlerëson planin e mbështetjes ekononomike dhe investimeve të BE-së që shoqëroi paketën e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Sipas ish-ministrit kjo paketë duhet të konsiderohet edhe si shtysë për kryerjen e reformave të domosdoshme për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme që bazohet në dije.

“Këto reforma duhen lidhur sa më shumë me jetën e qytetarëve sepse ata nuk jetojnë me “hapje dhe mbyllje kapitujsh”- thekson ndër të tjera Bushati.

Ish-ministri shton më tej se pas pak javësh përkujtojmë 30 vjetorin e Lëvizjes Studentore dhe mënyra më fisnike për të nderuar ata që sakrifikuan për lirinë është të punojmë së bashku për objektivin kombëtar.

Statusi i plotë i Ditmir Bushati

Si çdo vit, Komisioni Europian prezantoi paketën e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Veçantia kësaj radhe qëndron tek Plani i mbështetjes ekonomike dhe investimeve, që shoqëroi paketën e zgjerimit. Zbatimi i këtij plani do të reduktojë hendekun ekonomik dhe zhvillimor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së.

Krijimi i një tregu të përbashkët e të integruar, që funksionon në bazë të rregullave dhe lirive të BE-së do të sjellë përfitime të konsiderueshme për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pa zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe investim në kapitalin njerëzor nuk ka shtet të së drejtës dhe pa shtet të së drejtës nuk ka zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Ndaj, kjo paketë duhet të konsiderohet edhe si shtysë për kryerjen e reformave të domosdoshme për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme që bazohet në dije.

Për ne, nuk ka asnjë alternativë përkundrejt rrugës sfiduese të anëtarësimit në Bashkimin Europian, që siguron mirëqënie për qytetarët. Rrugë, e cila kërkon pronësi mbi reformat, vizion shtetkonsolidues dhe përgjegjësi politike.

Komisioni Europian vlerësoi gjithashtu reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe identifikoi sfidat për t’u adresuar me qëllim zyrtarizimin e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Ndonëse zyrtarizimi i bisedimeve për anëtarësim mbart një simbolikë të veçantë, qytetarët e zakonshëm të këtij vendi nuk ‘ushqehen’ me hapje e mbyllje kapitujsh. Për ta rëndësi ka perspektiva zhvillimore e vendit, cilësia e jetës, mbrojtja e promovimi i vlerave europaine, të cilat, lidhen drejtpërdrejt me progresin drejt BE-së. Sa më shumë ta çmitizojmë këtë proces e sa më shumë ta lidhim me jetën e qytetarëve aq më rezultativ do të jetë presioni i opinionit publik për ndërmarrjen e reformave që sigurojnë cilësi dhe shpejtësi në këtë proces.

Ky vit është i veçantë për Shqipërinë. Pas pak javësh ne do të përkujtojmë 30 vjetorin e Lëvizjes Studentore që solli ndryshimin epokal nën moton ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Nuk ka vepër më fisnike për të nderuar brezat që sakrifikuan për lirinë, nuk ka investim më të sigurtë për gjeneratën e re, sesa puna e përbashkët për përmbushjen e këtij objektivi kombëtar.

Postime të ngjashme

Stërvitja e NATO-s në Shqipëri një ditë pas zgjedhjeve, Peleshi: Jo thjesht një stërvitje, ja çfarë domethënie ka për vendin

S.B.

“Kufizimet nuk ndryshojnë”, Komiteti Teknik i Ekspertëve: Masat në fuqi edhe për 2 javë të tjera

S.B.

Rama-Manastirliu nga Kamza: Finalizohet marrëveshja për vaksinat kineze, javën që vjen nis vaksinimi masiv

S.B.

SHBA dhuron 29 mjete të blinduara për Forcat e Armatosura të Shqipërisë

S.B.

“Hajde themi Rama ik”/ Rama në Kamëz me fëmijët, batuta: Jepu një Iphone Rakip ta shohësh sa prapa je

S.B.

Grida Duma padit Erion Veliajn për shpifje

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...