Agjencia Zhurnal.KS
Editorial Maqedoni TOP LAJM

Editorial: Buxheti i ri sa për “bukë e kripë” – nevojitet mbështetje për inovacione, arsim cilësor dhe sipërmarrësi!

Shkruan , Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 12 nëntor – Edhe në vitin e ardhshëm do të vazhdojë huamarrja, investimet kapitale përsëri janë planifikuar në nivel të lartë, kurse në afat të mesëm do të ketë një ulje e lehtë e borxhit publik. Shumica e parave do të shkojnë për mbrojtjen sociale dhe shëndetin, ndërkaq për ekonominë planifikohet që të ketë eliminim të ekonomisë gri duke e rritur fiskalizimin. Megjithatë është e vështirë të planifikosh buxhetin e shtetit në kushtet e një pandemie, sepse parashikueshmëria është e vështirë kur përballemi me një situatë të paparashikueshme.

Qeveria planifikon të harxhojë mbi 4 miliardë euro!

Shteti planifikon të shpenzojë mbi katër miliardë euro vitin e ardhshëm dhe të ketë të ardhura prej 3.45 miliardë euro, që do të thotë se thesari i shtetit do të jetë më i shkurtër për mbi 500 milionë euro.

Parashikimet bazohen në trendet e vitit paraprak dhe realizohen pritjet për vitin e ardhshëm , duke analizuar edhe inflacionin, tregtinë, investimet, paratë që hyjnë nga jashtë dhe momente tjera të rëndësishme me impakte ekonomike.

Mungesa në paratë e shtetit do të kompensohet duke marrë hua, duke shitur tokë shtetërore, kryesisht bujqësore, duke shitur aksione në kompani në të cilat shteti ka aksione dhe duke privatizuar humbësit. Autoritetet njoftuan se paratë do të sigurohen nga shitja e Postës, Hekurudhave, Eurokompozit, Kolska, Kombinati i Duhanit në Prilep, pastaj dhënia me koncesion e “Kodrës së Diellit” realizimi i një partneriteti privat për hidrocentralin Çebren.

530 milionë euro borxhe në vitin e ardhshëm

Shteti do të marrë hua 530 milion euro vitin e ardhshëm, nga të cilat më shumë se gjysma, ose 275 milion, do të huazohen brenda vendit. Hendeku i buxhetit vitin e ardhshëm duhet të jetë dy herë më i vogël se ky vit. Qeveria tashmë ka marrë hua më shumë se 1 miliard euro këtë vit për t’u marrë me pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit. Shumica e borxheve të reja kanë për qëllim ndihmën financiare për ekonominë dhe ruajtjen e vendeve të punës në sektorët e prekur. Hendeku i buxhetit për këtë vit është parashikuar në 920 milion euro, ose 8.4 përqind e PBB-së. Borxhi publik në fund të qershorit të këtij viti tejkaloi 6.5 miliardë euro, ose 60 përqind të PBB-së.

Në vitet e ardhshme është planifikuar të stabilizohet borxhi publik. Sipas parashikimeve, borxhi deri në vitin 2025 do të ulet në 58.8 përqind të PBB-së.

Pritet që Covid-19 të pasqyrohet së paku në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, dhe realizimi i të ardhurave nuk mund të jetë në intensitet dhe dinamikë që do të lejojë një deficit të moderuar.

Kryeministri Zaev tha se buxheti i vitit të ardhshëm është i ekuilibruar, duke u përqendruar në sistemin shëndetësor, ekonominë, investimet kapitale, funksionalitetin e sistemit dhe mbështetjen për reformën gjyqësore dhe integrimin evropian. Buxheti parashikon 50 milion euro në rast se pandemia vazhdon në mënyrë që të mos ketë ribalanc në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Investimet kapitale

Shuma të larta për investime kapitale janë planifikuar edhe vitin e ardhshëm, edhe pse prej vitesh ato nuk janë realizuar as afër asaj që ishte planifikuar. Për vitin 2021, investimet kapitale janë parashikuar në 373 milion euro. Për ata që nuk do ta realizojnë atë që e kanë parashikuar, do të ketë dënime, kurse për ata që janë të suksesshëm do të ketë shpërblime. Paratë nga projektet e parealizuara do të shkojnë për ata që janë në një fazë më të përparuar të realizimit. Për vitin e ardhshëm, investimet kapitale janë 20% më të larta se sa ishin planifikuar për këtë vit. Të dhënat për këtë vit tregojnë se në nëntë muaj janë realizuar rreth 44% e fondeve të planifikuara për investime kapitale. Investimet kapitale janë thelbësore për rritjen e ekonomisë, por për vite ato mbeten vetëm në planet, dhe pastaj me ribalancet paratë shkojnë për të mbushur disa gropa të tjera.

Sërish janë planifikuar investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, energjinë dhe infrastrukturën komunale, investimet kapitale për të përmirësuar kushtet në shëndetësi, arsim dhe sistemin shoqëror, investimet në bujqësi dhe mbrojtjen e mjedisit. Pikat janë të përgjithshme sepse pamja e hollësishme e asaj se si do të duket Buxheti për vitin 2021 nuk është shpallur akoma. Projekt-buxheti do të paraqitet në Parlament, dhe deputetët mund të intervenojnë mbi të përmes ndryshimeve.

Shteti i mbron politikat sociale

Shumica e parave, pothuajse 1.5 miliardë euro do të shkojnë për mbrojtjen sociale, të ndjekura nga punët ekonomike të cilat do të marrin 1.14 miliardë euro, 660 milion euro për shëndetin, 465 milion euro për arsimin, të ndjekura nga paratë për rendin publik për të cilat janë siguruar 280 milion euro, 161 milion euro për mbrojtjen dhe 23 milion euro për mjedisin.

 Shteti planifikon të kursejë duke ulur kostot joproduktive, duke kursyer në udhëtime dhe shpenzime ditore, përfaqësime dhe shërbime të kontratës. Transferimet dhe subvencionet më pas do të racionalizohen dhe rishikohen, shpenzimet totale të buxhetit të pagave do të jenë të kufizuara, paga më e lartë në sektorin publik do të jetë e kufizuar dhe furnizimi i mobiljeve, automjeteve zyrtare, udhëtimet zyrtare ajrore do të jenë të kufizuara.

Sidoqoftë, një pjesë e administratës me buxhetin e ardhshëm do të marrë paga më të larta. Parashikohet që pagat e punonjësve në Parlament të rriten me 20% dhe paratë do të shpenzohen për punësimin në gjyqësor, do të ketë shtesa për arsim dhe mbrojtje.

Rënie ekonomike për 4.4 për qind

Rënia ekonomike këtë vit, sipas parashikimeve të qeverisë, do të jetë 4.4 përqind, ndërsa vitin e ardhshëm, pritet rritje prej 4.1 përqind. Qeveria e bazon atë në rimëkëmbjen e investimeve, konsumit dhe kërkesës së jashtme.

Pritjet janë që ekonomia të kthehet në gjendjen para krizës diku në gjysmën e dytë të vitit 2022. Parashikimet janë që në vitin 2025 rritja duhet të arrijë 5.9 përqind, dhe në periudhën nga 2026 deri në 2030 parashikohet të stabilizojë normën mesatare të rritjes ekonomike në 5 , 75 përqind në vit.

Komisioni Evropian ka korrigjuar parashikimin fillestar se rënia e PBB-së këtë vit do të jetë 3.9 përqind, tani parashikon 4.9 përqind. Komisioni thotë se rimëkëmbja e ekonomisë do të jetë e ngadaltë dhe e pasigurt.

Edhe pse në shikim të parë duket një buxhet shumë voluminoz, megjithatë nuk ka projekte konkrete për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillim ekonomik. Shteti duhet të investojë në inovacione, arsim, hulumtime dhe infrastrukturë, duke mundësuar në këtë formë që të ketë sa më shumë zhvillim ekonomik dhe jo të mbetet një shtet social, duke mbajtur nën kontroll varfërinë. Maqedonia e Veriut duhet të gjejë forma që t’i përkrahë të rinjtë për të hapur biznese dhe të shfrytëzojnë intelegjencën dhe përvojën e tyre të fituar jashtë që të kontribuojnë për zhvillim të vendit.

Postime të ngjashme

Editorial / Reflektimi i Albin Kurtit mund të vijë edhe tek ne

R Zh

Dimitrov: Shtyerja e bisedimeve me BE-në krijon probleme besueshmërie

admin

Fajon: Vetoja bullgare për Maqedoninë e Veriut është jopërgjegjëse

admin

Milloshoski: Nuk pranoj regjistrues në shtëpi nëse nuk është vaksinuar

admin

Limani: Sot unë, nesër Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, Sadulla Duraku, Musa Xhaferi, mund të largohen nga BDI-ja

admin

Kaevski: Deputetët e VMRO-DPMNE-së, Aleanca dhe e Majta të qëndrojnë në anën e qytetarëve

admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...