Komisioni Etiopian për të Drejtat e Njeriut (EHRC) në një deklaratë tha se ka ndodhur një “sulm i tmerrshëm” ndaj një autobusi pasagjerësh që drejtohej nga Wonbera për Chagni në rajonin Benishangul-Gumuz.
Persona të armatosur kanë vrarë dhjetëra njerëz gjatë një sulmi ndaj një autobusi pasagjerësh në Etiopinë perëndimore, theksuan zyrtarë nga organizata nacionale e të drejtave të njeriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Etiopian për të Drejtat e Njeriut (EHRC) në një deklaratë tha se ka ndodhur një “sulm i tmerrshëm” ndaj një autobusi pasagjerësh që drejtohej nga Wonbera për Chagni në rajonin Benishangul-Gumuz dhe se 34 viktima janë konfirmuar, ndërsa vuri në dukje se numri ka të ngjarë të rritet.
Sulmi ndodhi të shtunën në mbrëmje në një zonë të largët midis Wonbera dhe Chagni.
“Sulmi i fundit është shtesë e zymtë e kostos njerëzore që ne e bartim së bashku”, tha Daniel Bekele, kryekomisari i EHRC.
Asnjë grup deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Zyrtarë të sigurisë theksuan për mediat lokale se nuk ka prova të menjëhershme që lidhin sulmin me konfliktin në rajonin verior Tigray të Etiopisë.
Sipas zyrtarëve sudanezë, sulmi vjen teksa njerëzit vazhdojnë të largohen nga rajoni. Rreth 25 mijë etiopianë kanë kaluar në Sudan për t’i shpëtuar luftimeve.
Më 4 nëntor, Etiopia nisi atë që e përshkroi si një operacion i zbatimit të ligjit në Tigray pasi forcat e Frontit të Çlirimit të Popullit Tigray (TPLF) sulmuan komandën veriore të ushtrisë etiopiane të vendosur atje.