FBI ka nisur një hetim pas raporteve për thirrje të automatizuara telefonike, që u kërkojnë njerëzve të qëndrojnë në shtëpi, në ditën e zgjedhjeve në SHBA.
Një zyrtar i lartë i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike i përshkroi thirrjet, të cilat janë raportuar në një numër shtetesh, si “kërcënim për votuesit” dhe “taktikë për shtypjen” e tyre.
Megjithatë, ai tha se incidente të ngjashme ka pasur edhe në zgjedhjet e kaluara.
Në Nju Jork, prokurorja e përgjithshme, Letitia James, tha se zyra e saj është duke hetuar “në mënyrë aktive” raportet për telefonatat që u bëhen banorëve.
“Votimi është një gur themeli i demokracinë sonë”, tha James.
“Përpjekjet për t’i penguar votuesit të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, janë zhgënjyese, shqetësuese dhe të gabuara. Për më tepër, janë të paligjshme dhe nuk do të tolerohen”, tha ajo.
Dana Nessel, prokurore e përgjithshme e Miçigenit, tha se ka pranuar raporte për telefonata që u bëhen banorëve në qytetin e Flintit, me kërkesën për të votuar të mërkurën, për shkak të radhëve të gjata.
Qytetarët amerikanë janë duke votuar sot në zgjedhjet presidenciale.
Në garë për të parin e Shtëpisë së Bardhë janë presidenti aktual, Donald Trump, dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden.