Agjencia Zhurnal.KS
Bota

Fillon takimi i Këshillit Ministror të OSBE-së

Takimi mbahet online me ftesë të Kryesuesit të radhës të OSBE-së, Kryeministrit dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Edi Rama

Nën organizimin e Kryesisë Shqiptare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka filluar takimi dyditor i Këshillit Ministror të kësaj organizate, raporton Anadolu Agency(AA).

Në takimin i cili mbahet online me ftesë të Kryesuesit të radhës të OSBE-së, kryeministrit dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Edi Rama, do të trajtohen disa çështje që lidhen me sigurinë, veprimtarinë e organizatës nën kryesinë shqiptare dhe çështje të tjera.

Pjesë e takimit është parashikuar të jetë edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ndërkohë takimi mbahet në disa sesione.

Në hapje të takimit ka mbajtur një fjalë përshëndetëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se kur Shqipëria mori kryesinë e OSBE-së në janar të gjithë folën për një organizatë që ishte në vështirësi dhe sipas tij ky ka qenë një vit sprovues për OSBE-në.

“Duke u ulur këtu tani mundem vetëm të konfirmoj atë çka paraardhësit e mi kanë ndierë gjithashtu. Ne jemi në krizë, një krizë në përkeqësim. Kjo nuk është një situatë që i është shkaktuar organizatës nga vetë ajo në struktura apo nga njerëzit e saj, sepse ata të gjithë duhen përgëzuar për angazhimin e tyre të palodhur për të përmirësuar sigurinë gjithëpërfshirëse të Evropës”, theksoi Rama.

Ai tha më tej se “Jam shumë herë më i shqetësuar nga kriza e përhershme e bashkëpunimit, e çka nënkupton ajo në nivel lokal, nënkupton që kemi dështuar të trajtojmë si duhet dobësitë tona e të përmirësojmë veten tonë apo të trajtojmë sfidat e kërcënimet në të cilat përballet shoqëria jonë nga terrorizmi, ndryshimi i klimës apo të mbështeturit të të gjithë të drejtave të njerëzve tanë të rinj, të vjetër dhe personat në nevojë. Në fakt bëj thirrje si paraardhësit për një bashkëpunim për të bërë një gjë të tillë, por kanë rënë në vesh të shurdhër”.

Rama u ndal edhe në krizën në Bjellorusi, duke theksuar se, “Shihni se çfarë ka ndodhur në Bjellorusi dhe si krejt papritur OSBE mbeti si një instrument i fundit , ndërkohë që megastrukturat e tjera duken të padobishme. Pse kështu, sepse është mjaft e trishtueshme, por çfarëdo që ndodh jashtë BE-së ngre menjëherë barrikadat midis vendeve të BE-së, NATO-s dhe Rusisë, por jo vetëm kaq, bëhet menjëherë një çështje e një shkalle shumë më të gjerë, ndërkohë vetë çështja e njerëzve të zakonshëm, shqetësimet e tyre, aspiratat, të drejtat e tyre, liritë e tyre në vendin e krizës vihen në rrezik defakto. Nuk mund të vazhdojë kështu pafundësisht, kjo, duhet të ndryshojë”.

Më tej, kryesuesi i OSBE-së tha se pasojat e jashtëzakonshëm dhe të pashembullta të pandemisë COVID-19 kanë prekur të gjitha fushat e jetës, si dhe shtoi se “ne mundemi dhe do të marrim masa të përbashkëta e kurajoze për të rindërtuar më mirë e për të mos e humbur të ardhmen”.

Rreth konfliktit në Ukrainë ai tha se, “Në krye të vitit thashë se konflikti në Ukrainë ishte në fakt prioritet kryesor i ri i kryesisë sonë, nuk ka ndryshuar e nuk mund të ndryshojë. Është bërë një përparim i caktuar, por ka ende rrugë për t’u bërë, për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të paqtë të konfliktit, përfshirë edhe sfidat që kanë të bëjnë me Krimenë. Mbetet një situatë e papranueshme duke pasur parasysh parimet dhe angazhimet tona dhe le të mos harrojmë marrëveshjet e Minskut”.

Kryesuesi i OSBE-së u ndal edhe në konfliktin e fundit mbi Malësinë e Karabakut mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke theksuar se, “Jam falënderues që luftimet kanë reshtur dhe tashmë është koha për të zbatuar angazhimet e ndërmarra. Shpreh mbështetjen e plotë për nismat e grupit të Minskut për të rinisur procesin e negociatave. Në fakt këto bisedime domethënëse duhet të vijojnë tashmë në mirëbesim”.

Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli, në fjalën përshëndetëse tha se”jemi shumë larg bashkimit dhe besimit të ndërsjellë”.

“Gjithmonë e më tepër gjatë dekadave të fundit kemi parë regjime brutale dhe shtypje të lëvizjeve të opozitës. Kemi parë shkelje të lirisë së medias, gjithashtu edhe përçarje të tjera në shoqëri. Edhe një herë ka pasur sulem terroriste të mëtejshme. Kjo në fakt ngre shumë pyetje. Nënkupton kjo që organizata nuk ka bërë punën e vet? Në fakt përgjigja është de dyfishtë, ashtu si gjithë historia e OSBE-së. Strukturat e OSBE-së kanë punuar shumë mirë duke pasur parasysh burime e pakta që janë vënë në dispozicion nga shtete anëtare”, tha Tsereteli.

Në takimin vjetor, kryediplomatët e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së vlerësojnë gjendjen e sigurisë në zonën euroatlantike dhe atë euroaziatike, si edhe punën e organizatës në të gjitha fushat e veprimtarisë së saj.

Shqipëria këtë vit ka kryesimin e radhës të OSBE-së dhe në përfundim të mandatit, kryesimin e radhës vitin që vjen do ta marrë Suedia.

Postime të ngjashme

Afrikë, shkon mbi 110 mijë numri i vdekjeve nga COVID-19

S.B.

Vendimi për lockdownin gjatë pashkëve, Merkel u kërkon falje gjermanëve

S.B.

Borell: BE synon krijimin e rrjetit për parandalimin e sulmeve kibernetike

S.B.

Blinken vazhdon presionin ndaj Berlinit mbi ”Nord Stream 2”

S.B.

SHBA i kërkon Johnson & Johnson respektimin e kontratave të furnizimit

S.B.

Merkel kthen mbrapsht vendimin për mbyllje totale gjatë Pashkëve

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...