Agjencia Zhurnal.KS
Kosovë

Haradinaj-Stublla: Në asnjë rast të mos përfaqësohemi pa simbole shtetërore, po tentojnë që t’i shmangim gjatë pjesëmarrjes në takime të ndryshme

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla ka ftuar të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, që në asnjë rast të mos përfaqësohen pa simbole shtetërore.

Haradinaj Stublla në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se kohëve të fundit janë vërejtur tendenca dhe insistime që në forume të ndryshme, zyrtarëve të lartë të Kosovës u është kërkuar ta shmangin paraqitjen pranë simboleve shtetërore, sipas kërkesës së Serbisë, me qëllim të bllokimit të pjesëmarrjes së Kosovës në organizime rajonale dhe ndërkombëtare.

Ajo i ka bërë thirrje edhe Kuvendit të Kosovës, e me theks të veçantë grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që kur thërrasin interpelanca, të mos e përdorin emërtimin e ashtuquajtur “Republika e Serbisë”, e as kur shkruajnë letra ndërkombëtare siç qe rasti mbrëmë me publikimin e letrës dërguar Presidentit të zgjedhur Amerikan Biden ku i referohej Serbisë si Republikë!

Lexoni të plotë postimin e ministres:

SIMBOLET DHE SHTETI

Si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ftoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, që në asnjë rast të mos përfaqësohen pa simbole shtetërore.

Kohëve të fundit janë vërejtur tendenca dhe insistime që në forume të ndryshme, zyrtarëve të lartë të Kosovës u është kërkuar t’a shmangin paraqitjen pranë simboleve shtetërore, sipas kërkesës së Serbisë, me qëllim të bllokimit të pjesëmarrjes së Kosovës në organizime rajonale dhe ndërkombëtare.

Respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi nuk janë çështje dëshirore! Edhe Marrëveshja e Brukselit për Përfaqësim dhe Bashkëpunim rajonal nuk e ndalon përdorimin e simboleve, përkundrazi – prandaj emri i Kosovës duhet të jetë i barabartë me të gjitha emrat tjerë të shteteve pjesëmarrëse dhe në rast përdorimit të simboleve të shteteve tjera, organizatorët e takimeve janë të obliguar ti vendosin edhe simbolet e Republikës së Kosovës, në linjë dhe me qëllimin e përfaqësimit të barabartë të Republikës së Kosovës. Por, kjo nuk do të ndodhë pa kërkuar ne, apo pa respektuar ne veten dhe qenësinë e shtetit tonë.

Përfaqësuesit e Kosovës, e kanë për obligim që çdo përpjekje të kujtdo qoftë, që synon t’a prezantoj në nivel më të ulët shtetin tonë, të mos e pranojnë dhe t’a theksojnë faktin se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik i qytetarëve të saj.

Shteti i Kosovës është njohur nga 117 vende, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica dërmuese e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, shumica e shteteve të rajonit dhe më gjerë si dhe është anëtare e agjencive të specializuara të OKB-së si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe e shumë organizatave tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konfirmuar legjitimitetin dhe legalitetin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, ndërsa Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka mirëpritur opinionin e GJND-së, me rezolutën e miratuar më 9 shtator 2010.

Po ashtu, është e papranueshme se si institucione të caktuara të Republikës së Kosovës dhe parti politike parlamentare, përdorin termin “Republikë” kur i referohen Serbisë – dhe atë madje edhe në shkresa zyrtare e publike.

Me këtë rast i bëj thirrje edhe Kuvendit të Kosovës, e me theks të veçantë grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që kur thërrasin interpelanca, të mos e përdorin emërtimin e ashtuquajtur “Republika e Serbisë”, e as kur shkruajnë letra ndërkombëtare siç qe rasti mbrëmë me publikimin e letrës dërguar Presidentit të zgjedhur Amerikan Biden ku i referohej Serbisë si Republikë!

Pavarësia e Kosovës është rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi e demokraci. Për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës u sakrifikuan shumë breza, që kulmoi me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prandaj çdo përfaqësues i Republikës së Kosovës, e ka obligim ligjor dhe moral që të mbrojë dhe prezantojë me dinjitet shtetin dhe në asnjë formë të mos e lejojë nëpërkëmbjen e simboleve të tij.

Këtë propozim-udhëzim do t’a paraqes edhe në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës.

Postime të ngjashme

Humbin jetën edhe 17 persona nga coronavirusi në Kosovë – konfirmohen 781 raste të reja

S.B.

Haradinaj: Nuk kishim tjetër zgjidhje pos të përballemi me Serbinë

S.B.

Edita Tahiri reagon ndaj deklaratës së Edi Ramës për Kosovën

S.B.

Kurti bën homazhe te varret e presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi

S.B.

Seanca e Gjykatës së Hagës, avokati i Thaçit: Na jepni materialet që kërkojmë

S.B.

Hoxhaj përkujton 22 vjetorin e bombardimeve të NATO-s: Mision historik në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve për liri

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...