Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare.
Bello ishte infektuar me Covid, ndërsa kurohej në një spital në Turqi. Prej 23 ditësh në spital, ai nuk mundi të fitonte betejën me sëmundjen e rëndë.
Ndërkohë ndër të parët që ka reaguar për ndarjen e tij nga jeta ishte Namik Dokle, me një mesazh në facebook.
“Lajm i mesnatës, sa i trishtë! Sa i pabesueshëm ky lajm i mesnatës për vdekjen e mikut, kolegut, Marko Bello. Pa i mbushur ende të gjashtëdhjetat, na e mori covid kolera! Ç’bëhet kështu? Po na bëhet Facebook varrezë!!!
Lamtumirë, i dashur Marko! Nuk do ta harroj kurrë buzëqeshjen tënde të pandarë, shakanë tënde mbushur me mirësi…”, shkruan Dokle.

Ndërsa, presidenti Ilir Meta thotë se ky lajm i tronditi të gjithë: “Sa shumë dhimbje nga kjo ikje e parakohëshme e një miku, bashkëpunëtori, kolegu, intelektuali aktiv, qytetari model e familjari shembullor!
Zoti ju dhëntë forcë Silvanës, fëmijëve e të afërmve për këtë humbje kaq të madhe, që na tronditi të gjithëve këtë mëngjes! Ngushëllimet më të ndjera!
Përherë i paharruar në kujtimet tona! Lamtumirë i shtrenjti ynë Marko Bello”.
Marko Bello, lindi më 12 shtator të vitit 1961 dhe ishte deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.
Marko Bello ka qenë deputet i PS-së për 3 mandate nga viti 2001 – 2013. Gjithashtu ai ka mbajtur dhe postin e ministrit për Integrimin Evropian dhe ministër Shteti për Koordinimin Qeveritar.
Në periudhën 1997-2000, Marko Bello ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Rumani dhe më pas zv/ministër i Mbrojtjes. Së fundmi ai ishte dhe kritik i “Rilindjes”.