Agjencia Zhurnal.KS
Bota

Kina dhe 14 shtete të tjera nënshkruan marrëveshjen më të madhe botërore për tregti

Kina dhe 14 vende të tjera në Paqësorin aziatik kanë arritur marrëveshjen për tregtinë. Me këtë marrëveshje dërgohet një sinjal i fuqishëm kundër proteksionizmit të Trumpit.

Pavarësisht konfliktit tregtar me SHBA, Kina ka nënshkruar marrëveshjen më të madhe të tregtisë së lirë në botë me 14 vende të oqeanit Paqësor në Azi. Pas tetë vjet negociatash, marrëveshja u nënshkrua gjatë një samiti virtual të vendeve të Azisë Juglindore dhe shteteve ASEAN në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi.

“Partneriteti ekonomik rajonal, gjithëpërfshirës” ose RCEP, siç quhet, përfshin 2.2 miliardë njerëz dhe pothuajse një të tretën e prodhimit ekonomik global. Marrëveshja ul tarifat, përcakton rregullat e përbashkëta tregtare dhe kështu lehtëson edhe rrugët e furnizimit. Marrëveshja përfshin tregtinë, shërbimet, investimet, tregtinë elektronike, telekomunikacionin dhe të drejtat e autorit.

Sukses i madh për udhëheqjen në Pekin

Përveç Kinës, që është ekonomia e dytë më e madhe në botë, këtë marrëveshje e kanë nënshkruar edhe dhjetë vendet e ASEAN-it: Vietnami, Singapori, Indonezia, Malajzia, Tailanda, Filipinet, Birmania, Brunei, Laosi dhe Kamboxhia, Japonia, Australia, Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re. Marrëveshja për tregti të lirë ëshë një sinjal i fuqishëm në kohën e luftës së vazhdueshme tregtare me SHBA, që konsiderohet si një sukses i madh për udhëheqjen komuniste në Pekin.

Marrëveshja sipas mendimit të ekspertëve do të promovojë integrimin ekonomik në rajonin e Azisë së Paqësorit dhe do të kundërshtojë tendencat proteksioniste. Para krizës së Coronës, vendet e RCEP përbënin 29 përqind të vëllimit të tregtisë globale – pak më pak se BE, me 33 përqind. Përqindja e RCEP do të vazhdojë të rritet, thonë ekspertët. “RCEP do të rishikojë hartën ekonomike dhe strategjike të Indo-Paqësorit,” tha Jeffrey Wilson i Institutit Australian të Politikës Strategjike (ASPI). Marrëveshja e tregtisë së lirë do t’u japë gjithashtu një nxitje përpjekjeve për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë.

India tërhiqet nga negociatat

Marrëveshja është përgatitur pas 31 raunde negociatash dhe 18 takimesh në nivelin e ministrave. Gjashtë herë janë shtyrë afatet e parashikuara për nënshkrim. Në fund, marrëveshja varej shumë nga India, e cila nuk dëshironte të hapej ndaj këtij tregu. Nju Delhi u tërhoq nga negociatat në fund të vitit të kaluar dhe kështu u hap rruga për këtë marrëveshje.

Kjo Marrëveshje është nënshkruar përkundër paktit të mëparshëm, “Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për një Partneritet Trans-Paqësor”, CPTPP. Por CPTPP përfaqëson vetëm 13 përqind të prodhimit ekonomik global. Presidenti Trump e ka tërhequr SHBA-në nga projekti më ambicioz i Partneritetit Trans-Paqësor (TPP), në vitin 2017. Trump nuk mori pjesë në bisedimet e ASEAN-it për të tretin vit me radhë.

SHBA e ka humbur peshën në rajonin e Paqësorit aziatik në kohën e presidentit Trump, ndërsa Kina po e zgjeron ndikimin e saj edhe më tej me këtë Marrëveshje. RCEP është më i gjerë sesa projekti CPTPP, por nuk shkon aq thellë në bashkëpunim, thonë ekspertët. Partneriteti trans-Paqësor CPTPP midis Australisë, Bruneit, Kanadasë, Kilit, Japonisë, Malajzisë, Meksikës, Zelandës së Re, Perusë, Singaporit dhe Vietnamit deri më tani është ratifikuar nga shtatë vende dhe përfshin 480 milionë njerëz.

Roli i Bidenit

Mbetet të shihet nëse SHBA do t’i bashkohet përsëri partneritetit trans-Paqësor, pas marrjes së postit të presidentit nga Joe Biden, të cilit po ashtu i duhet miratimi i Kongresit. Ekspertët thonë se dy marrëveshjet e tregtisë së lirë nuk janë në kundërshtim mes tyre. Përkundrazi, marrëveshja e re e RCEP me Kinën mund të konsiderohet si një plotësim i marrëveshjeve të mëparshme. Japonia, Vietnami, Singapori, Brunei, Malajzia, Australia dhe Zelanda e Re janë pjesë e të dy marrëveshjeve.

Sidoqoftë, Marrëveshja e re e tregtisë së lirë nuk do të thotë se janë zgjidhur të gjitha problemet midis partnerëve tregtarë apo se vendet nënshkruese nuk janë të shqetësuara me rritjen e varësisë nga Kina. Japonia aktualisht po rishikon lidhjet e saja të furnizimit nga Kina. Konflikte ka edhe midis Australisë dhe Kinës, sepse Pekini po kufizon importet nga Australia për shkak të tensioneve politike. Por kjo marrëveshje demonstron se ekonomitë e këtij rajoni janë të shqetësuara dhe skeptike ndaj politikës së Trumpit në këtë rajon./dw

Postime të ngjashme

Afrikë, shkon mbi 110 mijë numri i vdekjeve nga COVID-19

S.B.

Vendimi për lockdownin gjatë pashkëve, Merkel u kërkon falje gjermanëve

S.B.

Borell: BE synon krijimin e rrjetit për parandalimin e sulmeve kibernetike

S.B.

Blinken vazhdon presionin ndaj Berlinit mbi ”Nord Stream 2”

S.B.

SHBA i kërkon Johnson & Johnson respektimin e kontratave të furnizimit

S.B.

Merkel kthen mbrapsht vendimin për mbyllje totale gjatë Pashkëve

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...