Ekonomia e Kinës ka vazhduar ta rimarrë veten edhe në muajin tetor, edhe pse ishte paralajmëruar një tkurrje prej mbi gjashtë qind në industritë kryesore të vendit si pasojë e ndikimit të pandemisë së koronavirusit, raporton agjencia Reuters.
Megjithatë, të dhënat e fundit të Zyrës Kombëtare të Statistikave tregojnë se 34 prej 41 industrive të vendit kanë shënuar performancë më të mirë sesa ishte menduar në muajin tetor. Ngritja mujore ka shkuar deri në 7.4 për qind në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë së gjigantit aziatik, që ka marrë masa të ashpra në pranverë për ta frenuar përhapjen e koronavirusit.
Kina është akuzuar se nuk ka bashkëpunuar me OBSH-në për ta njoftuar lidhur me përhapjen e koronavirusit nga krahina kineze, Wuhan, në fund të vitit të kaluar. Presidenti amerikan në largim, Donald Trump, ka qenë më i zëshëm në kritikat ndaj Kinës, duke e akuzuar Pekinin zyrtar se e ka krijuar virusin në laborator me qëllim që ta dëmtojë ekonominë amerikane. Kina komuniste i ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza.
Raportet e një hulumtimit të gazetës britanike, “Guardian”, kanë treguar se autoritetet kineze njëmend nuk i kishin raportuar të dhënat fillestare pas diagnostikimit të rasteve të para me koronavirus në Wuhan, ku besohet se i ka rrënjët virusi që nisi të përhapej prej një tregu të kafshëve. Kina ka marrë masa të ashpra, duke ulur numrin e rasteve, ndryshe nga vendet perëndimore që tashmë po përballen me valën e dytë të pandemisë. Shumica e vendeve evropiane kanë nisur zbatimin e mbylljeve ekonomike, më të lehta se ato të pranverës, në prag të dimrit kur mjekët presin të ketë më shumë raste.