Shkup, 3 dhjetor – Zhurnal.mk – Edukim gjithëpërfshirës seksual do të jetë pjesë e procesit mësimor vitin e ardhshëm shkollor 2021/2022. Qëllimi është që të rinjtë të kenë informata dhe të jenë të edukuar lidhur me barazinë gjinore, por edhe parandalimin e ngacmimeve seksuale dhe dhunës, informon Zhurnal.
“Në programet mësimore deri tani nuk është folur as për emocione, as për pranim personal, as për dhunë, as për ndërtimin e relacioneve dhe emocioneve me familjen, jashtë familjes, me moshatarët dhe me shoqërinë që jetojmë. Pikërisht këto janë tema që do të hyjnë në kurikulën e re”, thotë Milla Carovska, ministre e arsimit.
Bojan Jovanovski nga organizata joqeveritare HERA thotë se “Në 10-11 vitet e fundit rruga nuk ka qenë aq e thjeshtë. Nuk ka ekzistuar vullnet i mjaftueshëm politik, kemi patur mjaft obstruksione nga shkollat, nga institucione të ndryshme. Mirëpo, sot, gjërat paksa kanë ndryshuar”.
Nga sot ka filluar trajnimi i mësimdhënësve nga katër shkolla të cilat do të jenë pjesë e pilot programit për arsim gjithëpërfshirës seksual. Programi do të realizohet me nxënës të klasave të nënta, por jo si lëndë e veçantë, por temat do të integrohen në korniza të lëndëve të tjera.
“Të arrijmë të kujdesemi për përmbushjen e standardeve nga aspekti social dhe emocional në zhvillimin e fëmijëve, e gjithashtu të mundësojmë të kemi mjedis, gjegjësisht të përmbushim qëllimet e arsimit fillor, e ajo është të kujdesemi për zhvillimin gjithëpërfshirës të fëmijëve tanë”, thotë Ajsha Ajrullai nga Byroja për Zhvillim të Arsimit.
Hulumtimet tregojnë se shtetet ku edukimi seksual është pjesë e arsimit formal kanë përqindje më të ulët të shtatzënive gjatë moshës së mitur, të rinjtë më tepër kujdesen për shëndetin e tyre dhe më tepër njohin dhe paraqesin çdo lloj dhune.////Zhurnal.mk