Agjencia Zhurnal.KS
Kulturë

Manchesteri përgatitet për rënien e “Murit të Berlinit”

Për disa është kryevepër moderniste për të cilën “çdo qytet tjetër në botë do të jepte krahun e vet të djathtë”. Për të tjerët, është një xhevahir i betontë që nuk do të duhej të ishte instaluar asnjëherë në atë që dikur ishte sheshi më i bleruar i Manchesterit.

Puna ishte caktuar të fillonte të hënën për të shkatërruar të vetmen vepër në Britani të arkitektit japonez, Tadao Ando, pasi skeptikët e fituan betejën mbi atë që quhej Muri “mancunian” i Berlinit.

I ndërtuar në “Piccadilly Gardens” si pjesë e planeve për të riorganizuar Manchesterin pas sulmit me bomba të IRA-s më 1996, monoliti i betontë i Andos e ndau sakaq opinionin.

Më shumë si statuja e Mary Wollstonecraftit në Londër, struktura ofendoi estetikën rreth e rrotull. Për secilin student të arkitekturës që adhuronte vijat e qarta të minimalizmit japonez, kishte shumë njerëz që ankoheshin se struktura ishte një halë në sy që sillte goxha shumë mbulesë për dilerët e drogës që strukeshin hijeve të saj.

Së fundmi, ajo ka shërbyer edhe si kanavacë për protestat kundër trajtimit qeveritar të Anglisë së Veriut gjatë pandemisë së COVID-it, duke u mbushur me grafite të frazës aforistike: “Veriu nuk është një pjatë gjelle”.

Më 2014, “Manchester Evening News” nisi një fushatë për të hequr murin, pasi tri të katërtat e lexuesve të saj thoshin se e urrejnë atë. Banorët në moshë e kujtonin jetën e mëparshme të sheshit të mbushur me lule “kopshtesh të fundosura”, që më pas degjeneruan në parajsa për përdoruesit e drogës.

Struktura ishte fajësuar edhe për “Picadilly Gardens” e përshkruar prej “TripAdvisor” si një prej atraksioneve më të këqija turistike të Manchesterit.

Atë vit Këshilli njoftoi për planet për ta mbuluar atë me gjelbërim, duke thënë se shkatërrimi do të ishte tejet i kushtueshëm. Pati edhe disa ndërlikime në lidhje me pronësinë e tij, ku një pjesë e strukturës – një pavijon që përmbante një restorant – ishte në duar private.

Por në fillim të këtij viti Këshilli njoftoi për një ndryshim të qasjes, duke thënë se në fakt do të rrëzonte elementin e lirë të veprës së Andos.

Këshilltari Pat Karney, zëdhënës i qendrës së qytetit, ishte aq i kënaqur sa tha se do ta shënonte në ditar datën e rrënimit të tij.

“Ky është lajmi të cilin secili në Manceshter e ka pritur – pjesë të murit po shemben. Do ta shënoj atë në kalendarin tim”, ka thënë ai. “Kjo është vetëm pjesa e parë e atij që do të jetë plan më i madh për ta bërë Piccadilly Gardens një hapësirë vibrante dhe tërheqëse në zemër të qytetit”.

Por kushdo që pret të shohë dramën e një topi që rrëzon strukturën – apo të planifikojë shkëputjen e një copëze me një çekiç të vogël për ta pasur si suvenir – do të zhgënjehet kur do të mësojë që shkatërrimi do të bëhet gjatë natës.

Punimet përgatitore ishin caktuar të fillonin të hënën, me synimin për të shkërmoqur murin duke filluar nga fundi i kësaj jave, ka thënë zëdhënësi i Këshillit. Meqë struktura është fare pranë linjës së tramvajit, punimet do të bëhen nga ora 1 deri në 5 të natës, kur “Metrolinku” nuk funksionon. Do të marrë disa javë, meqë muri është ndërtuar mbi plot hapësira që duhet të tejkalohen me kujdes.

“Idetë për një skemë të zgjeruar të përmirësimit po zhvillohen dhe do t’u jepen publikut dhe biznesmenëve për të matur pikëpamjet e tyre deri në fund të vitit”, ka thënë Këshilli në një deklaratë.

Eddy Rhead, nga “Modernist Society”, një grup që trumbeton arkitekturën e shekullit të 20-të, ka thënë: “Ka probleme fondamentale me ‘Piccadilly Gardens’ dhe ato nuk do të zgjidhen duke e shembur murin”.

“Është fare lehtë ta përdorësh arkitekturën si kokë turku për probleme shumë më të mëdha, dhe është shumë lehtë për politikanë të dalin e të fajësojnë arkitekturën në vend se të bëjnë diçka për këto probleme”.

“Kushdo që di diçka për arkitekturën moderne e di se Tadao Ando është një arkitekt i klasit botëror. Çdo qytet tjetër në botë do të jepte krahun e vet të djathtë për një copëz të arkitekturës së Andos”.

Postime të ngjashme

Anulohet Festivali i Rokut në Gjenevë

S.B.

Futet në librin e rekordeve Guiness, shitet piktura më e madhe në botë për 62 milionë dollarë në Dubai

S.B.

Garvanliev të mbetet përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut në Eurosong 2021

T E

Librat e Kunderës, betejë e përjetshme e njeriut me sistemin

S.B.

Vdes poeti dhe eseisti i njohur polak, Adam Zagajewski

S.B.

Shoqata Tradita e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar Shtigje poetike

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...