Agjencia Zhurnal.KS
Sport

Maradona kishte “vetëm” 83.500 euro në llogarinë bankare pas një jete të shthurur me shpenzime, por ka lënë trashëgimi në vlerë prej 167 milionë eurosh

Diego Maradona ndërroi jetë javën e kaluar nga sulmi në zemër në moshën 60 vjeçare, ndërsa në xhirollogarinë e tij bankare kishte ‘vetëm’ 83.500 euro.

Sipas një raportimi në Corriere della Sera, legjenda e kishte shpenzuar pasurinë e tij duke bërë një jetë luksoze dhe të shthurur, por njëherësh zemërgjerësinë e tij e kishin shfrytëzuar njerëz të caktuar për t’i marrë para.

Njëri prej futbollistëve më të mirë në histori, gjatë karrierës ka pasur kontrata të majme me brende, si Puma, ka përfituar miliona duke drejtuar klube në Lindjen e Mesme, si edhe është paguar 17 milionë euro në vit për të qenë president nderi i Dynamo Brest në Bjellorusi.

Gazetari argjentinas, Luis Ventura, që ka qenë i afërt me ikonën ka thënë për emisionin Fantino a la Tarde: “Ai nuk kishte thuajse asgjë më llogarinë bankare, ai vdiq i varfër”.

Pasuria e Maradonas ishte shkapërderdhur nga dora e lëshuar e tij dhe është vjedhur nga ata që e kanë mashtruar dhe ia kanë zbrazur xhepat. E gjitha që duhej të bënin, ishte të kërkonin dhe ai u jepte”.

Angelo Pisani, një avokat që i ka ndihmuar Maradonas gjatë akuzave për evazion fiskal në Itali, ka thënë se ai jetonte me pak para dhe asnjëherë nuk kishte më shumë se 100 euro në xhep, derisa njerëzit përreth tij e shfrytëzonin.

Po ashtu, është raportuar se ish-futbollisti i Barcelonës dhe Napolit kishte tatime të papaguara në vlerë prej 37 milionë eurosh. Megjithatë, ekzistojnë raporte kundërthënëse lidhur me pasurinë e Maradonas.

Edhe pse ai vdiq ‘i varfër’ sa u përket parave të thata, asetet dhe trashëgimia e tij janë në vlera milionëshe, gjë që pritet të bëhen të ditura pasi të zbulohen detajet e errëta të financave të tij.

Gjithmonë sipas Corriere della Sera, pasuria e tij përfshin stoli, tokë, prona prestigjioze duke përfshirë një ndërtesë të tërë dhe disa apartamente në qendër të Buenos Aires, gjashtë vetura luksoze, duke përfshirë BMW, Audi dhe Rolls Royce, investime në Kubë dhe Itali, shkolla futbolli në Kinë dhe kontrata për të drejtat e imazhit që do të mbeten në fuqi edhe pas vdekjes së legjendës.

Ndër njerëzit që do të përfitojnë nga pasuria e tij, janë fëmijët e legjendës. Maradona i ka të njohur dy djem dhe tri vajza nga katër gra të ndryshme.

Tre fëmijë kubanezë pretendojnë se janë pasardhës të Diegos dhe janë ngjizur gjatë kohës kur kishte shkuar në ishujt Karaibe për ta luftuar vartësinë nga droga dhe alkooli. Po ashtu, edhe dy fëmijë të tjerë argjentinas janë duke u përpjekur që ta dëshmojnë se kanë ADN-në e Maradonas.

Megjithatë, trashëgimtarët e tij do të marrin shumë në pak nga sa kanë shpresuar, duke qenë se ikona e futbollit e ka të shpërndarë pasurinë e tij nëpër përfaqësues të ndryshëm ligjorë. Për më shumë, sa ishte gjallë, ai kishte thënë se do ta dhuronte gjithë pasurinë dhe nuk do t’u linte asgjë fëmijëve. /Telegrafi/

Postime të ngjashme

Policia i merr në pyetje zyrtarët e Kombëtares për rastin Muric-Zhegrova

M O

Nedved, kategorik

M O

Zyrtare: Sami Sermaxhaj emërohet trajner i Drenicës

M O

Coutinho-Odegaard, projektohet shkëmbimi

M O

Sonte miqësorja Kosovë – Lituani

M O

Vetëm pesë lojtarë nuk janë në shitje te Juventusi

M O

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...