Shkup, 12 nëntor – Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq sot pasdite përmes videolidhjes realizoi takim me eurokomisarin për Zgjerim, Oliver Varheji.
Gjatë bisedës, ministri ia ka prezantuar eurokomisarit reformat e fundit të cilat i zbaton Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë në drejtim të përmirësimit gjithëpërfshirës në punën në sistemin gjyqësor.
Eurokomisari Varheji e përshëndeti bashkëpunimin e afërt dhe partneritetin me BE-në për reformat në këtë sferë, duke pasur parasysh se me fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian veçanërisht do të intensifikohet bashkëpunimi në sektorin e drejtësisë. Varheji gjithashtu e potencoi rëndësinë e Kapitullit 23, i cili si pjesë e klasterit “Fondamente” do të jetë në interes të vazhdueshëm për Komisionin dhe vendet anëtare.
Në mënyrë shtesë, eurokomisari theksoi se në periudhën e ardhshme nevojitet që të punohet intensivisht në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë dhe të mos lejohet që të vjetërsohen lëndët ose të mos veprohet për rastet.
Varheji ka ofruar edhe ndihmë konkrete në drejtim të digjitalizimit të gjyqësorit, si dhe ndihmë eksperte nga Komisioni Evropian aty ku është e nevojshme.