Agjencia Zhurnal.KS
Auto

“Mercedesi” bazohet në evolucion, “Tesla” në revolucion

Përderisa “Tesla” po shijon shkëndijat e para të softuerit të ri të vetëngasjes (Full Self Driving), rivali “Mercedes-Benz” thotë se ka zhvilluar sistem të ngjashëm, por nuk po e lejon që përdoruesit të dalin në rrugët publike me të. Gjermanët, pionierë në zhvillimin e sistemeve të avancuara të asistencës në ngasje (ADAS), janë dukë bërë lëvizje hap pas hapi drejt lansimit të teknologjisë së re, duke pritur që inxhinierët e vet, e jo publiku, të vlerësojë sistemin e kompanisë. Të dy përpjekjet – një konservatore dhe një më radikale – janë të dizajnuara për të shtyrë përpara drejt rrugëve publike ngasjen autonome, një hap i madh që mund të reduktojë aksidentet, pasi që kompjuterët kanë reflekse më të shpejta se njerëzit për të shmangur aksidentet, shkruan Reuters. 

Testimet në fazë eksperimentale

Sistemet e avancuara për asistencë në ngasje mund të ndihmojnë në drejtim të veturës, frenim e të përkrahin përshpejtimin nën rrethana të limituara. Prodhuesit janë përmbajtur që të lëshojnë teknologjinë e tyre për t’i lejuar veturat të qarkullojnë nëpër trafik të qyteteve. “Tesla” prishi këtë traditë javën e shkuar kur lansoi softuerin “FS” i cili ua mundëson veturave të praktikojnë reflekset e tyre në situata brenda qyteteve, me paralajmërimin se vetura “mund të bëjë gabim në kohën më të papërshtatshme”. “Mercedesi” nuk lejon që publiku të testojë sistemet ende në fazën eksperimentale. Inxhinierët e kompanisë duhet të kalojnë testet e caktuara për t’u bërë testues të veturave dhe një tjetër për të testuar sistemet automatike, ka njoftuar prodhuesi i veturave. Në vend se që të detyrojë përdoruesit t’i besojnë softuerëve dhe aftësisë së makinës që të mësojë me kalimin e kohës, gjermanët duan që vetura e tyre të vlerësohet nga inxhinierët deri sa të jenë të përsosur për klientët. “Ne nuk duam besim të verbër. Duam të kemi besim të informuar për veturën. Klienti duhet të dijë saktë çfarë mundet dhe çfarë s’mundet të bëjë vetura”, ka thënë një zëdhënës i “Mercedesit” për “Reutersin”, skaj shiritit të testimit të veturave në Immendingen të Gjermanisë.

“E keqja është nëse automobili do të ishte në situatë komplekse dhe do të kishte paqartësi nëse vetura është në kontroll apo jo”, ka thënë ai. Për këtë prodhuesi me bazë në Shtutgart, nën pronësi të “Daimlerit”, është duke theksuar përvojën e vet në sistemet e asistencës së vozitjes teksa synon të marrë aprovimin e rregullatorëve botërorë për sistemin e vet “Drive Pilot”, që arrin në nivelin e tretë të autonomisë. Niveli i tretë nënkupton se shoferët mund të largojnë sytë nga timoni dhe kompania duhet të marrë përgjegjësinë e sigurimit, varësisht nga juridiksioni. Sistemi i ri i “Teslas” detyron klientët të marrin përgjegjësinë për çfarëdo përplasje.

“Hapi i ardhshëm logjik”

“Mercedes-Benzi” kishte nisur me sistemet me përdorimin e kamerave më 2009 duke ofruar njohje të semaforëve e sistemet për mbajtjen e shiritit, si dhe duke shtuar më 2013 edhe njohjen e vendkalimeve për funksionet e frenimit emergjent. Ishte projekti i përbashkët i “Tesla Model S” dhe “Mercedes-Benz B-Class”, i cili bëri që shefi i “Teslas”, Elon Musk, të kuptonte për sistemet e kamerave dhe radarëve, një inxhinier i projektit ka thënë për “Reuters”. “Mercedesi” planifikon ta lansojë “Drive Pilot” vitin e ardhshëm dhe po e sheh si një evolucion të sistemit “Distronic”, të lansuar më 2013, e që përdor kamerat dhe radarët për të mbajtur veturat në shirite e në distancë nga vetura përpara. “Driva Pilot” shton sensorë të rinj që mbledhin të dhëna nga radarët, hartat e kamerat. “Është ndryshim i vogël nga ‘Distronicu’, por një evolucion strategjik. Për ne ky është hapi i ardhshëm logjik dhe jo që të synojmë të shkojmë në Hënë”, ka thënë Michael Decker, menaxher i ngasjes autonome në “Mercedes-Benz”. Decker, prapa timonit të “S-Class” të re, ngas veturën në një rrugë testuese si autostradë dhe zgjedh “Drive Pilotin”. Vetura ecën pa probleme, ka frenim të butë e drejtim të sigurt. “Kaloj shumicën e ditës sime me rastet e skajshme, ato situata speciale ku duhet të kemi nën kontroll”, ka deklaruar ai. “Drive Pilot” funksionon vetëm në shpejtësi deri në 60 kilometra për orë dhe arrin shpejtësitë e larta vetëm kur lejohet me ligj. Ai pritet të funksionojë në autoudhët e Gjermanisë nga mesi i vitit të ardhshëm, nëse kalohet një ligj i ri. “Nëse vetura kalon kufirin në Francë, ajo s’do të funksionojë me sistem, sepse e kemi përdorur hartën në sistemet tona të vlerësimit dhe Franca s’ka krijuar kornizë ligjore për lejimin e operimit të këtij sistemi”, ka thënë Decker. Edhe pse inxhinierët e “Mercedesit” janë të vetëdijshëm për zgjedhjen më agresive që ka bërë “Tesla” për të reklamuar sistemin e vet, ata janë të qetë. “Ne gjithmonë kemi ndjekur këtë rrugë. Dhe tani konsiderojmë se kemi strategjinë e duhur. Kryesorja këtu është siguria. Krejt është që të kemi një sistem të pjekur. Standardet e sigurisë së ‘Mercedesit’ qëndrojnë larg dhe mbi gjithçka, përfshirë shpejtësinë”, ka përfunduar Decker./Koha.net/

Postime të ngjashme

Një Lotus “i ri” i vitit 2013 shitet për 70.000 dollarë

S.B.

Prodhuesi më i madh i veturave në Kinë do të lansojë rivalin e Teslas

S.B.

Megane 2021 i prin rrugës elektrike të Renaultit

S.B.

Hyundai paralajmëron nxjerrjen në treg të modelit Alcazar

admin

Nis prodhimi i Audi Q4 e-tron

admin

Elon Musk: Ne kemi bërë veturat më të mirë të të gjitha kohërave

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...