Agjencia Zhurnal.KS
Maqedoni

Në shënjestër të shërbimit sekret e i dënuar në Austri, profili i djaloshit nga Çellopeku

Vjenë, 3 nëntor – Një sulm terrorist ka ndodhur mbrëmë në Vjenë të Austrisë, duke lënë të vrarë katër persona. Në mesin e sulmuesve ishte edhe një 20-vjeçar me rrënjë shqiptare, i cili u vra nga autoritetet austriake. Bëhet fjalë për Kujtim Fejzullahin nga Maqedonia e Veriut.

Sipas raportimeve të mediave austriake, Fejzullahi me rrënjë shqiptare ishte simpatizant i organizatës terroriste ISIS dhe pak para sulmit, ai u betua për besnikëri ndaj kreut të ri të policisë terroriste të ISIS-it, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Quraishi.

20-vjeçari kishte qenë edhe në shënjestër të shërbimit sekret austriak, meqenëse ishte në mesin e 90 islamistëve që kishin dashur të shkojnë në Siri, porse ishte penguar.

Për anëtarësim në një organizatë terroriste me synimin që të evakuohej në Siri dhe të bashkohej me policinë terroriste të Shetit Islamik atje, ai ishte dënuar me 22 muaj burgim.

Për Fejzullahin është deklaruar edhe Ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer, i cili e përshkroi si një “terrorist islamik”.

Duke folur në një konferencë për shtyp, ministri Nehammer tha se personi i armatosur rëndë – i vrarë nga policia –ishte një mbështetës i grupit militant, Shtetit Islamik (IS) dhe se shtëpia e tij ishte kontrolluar ku është sekuestruar video-material. Policia tha se ai kishte veshur një rrip shpërthyes të rremë.

Më parë, Nehammer tha se të paktën një sulmues “i armatosur rëndë dhe i rrezikshëm” besohej të ishte akoma i lirë. Zyrtarët u cituan të thoshin se mund të kishin qenë deri në katër sulmues. Ministri i Brendshëm kërkoi nga njerëzit të shmangnin Vjenën qendrore dhe u tha prindërve të mbanin fëmijët e tyre në shtëpi të martën.

Ministri Nehammer tha se në operacionet e kërkimet për sulmuesit – numri i të cilëve është ende i paqartë – janë angazhuar edhe 1,000 pjesëtarë të sigurisë, ndërkaq shtoi se edhe vendet fqinje kanë ofruar mbështetjen e tyre për këto operacione.

Viktimat e sulmit janë dy gra dhe dy burra. Njëra nga gratë thuhet se ishte kameriere. Gruaja e dytë vdiq nga plagët e saj në spital, thanë raportet.

Për rastin janë deklaruar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Nga ky institucion kanë thënë se Maqedonia “është në kontakt të vazhdueshme me autoritetet e Austrisë për verifikimin e identitetit të sulmuesit, por edhe për lidhjet e tij të mundshme me persona të tjera. Policia austriake përmes INTERPOL-it ka paraqitur kërkesë për bashkëpunim për këtë rast dhe autoritetet tona menjëherë i janë përgjigjur kërkesës për veprim”.

Viktimat ishin në një zonë të qendrës së qytetit të mbushur me njerëz në bare dhe restorante, afër sinagogës qendrore të Vjenës, por nuk është ende e qartë nëse ajo ishte shënjestra e sulmit.

Qeveria austriake ka shpallur tri ditë zie.

Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti atë një “sulm të neveritshëm terrorist”.

Ai të martën tha se është i vetëdijshëm se kjo nuk është një “mosmarrëveshje midis të krishterëve dhe myslimanëve”.

“Por ne gjithmonë duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është një mosmarrëveshje midis të krishterëve dhe myslimanëve ose midis austriakëve dhe migrantëve. Kjo është një luftë midis shumë njerëzve që besojnë në paqe dhe atyre pak që duan luftë”, tha Kurz.

Ndërkaq, gjatë një adresimi televiziv, Kurz u zotua se do të “kapim autorët dhe ata që qëndrojnë pas tyre”.

Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dënoi sulmet në Vjenë, duke thënë se akte të tilla “ndaj njerëzve të pafajshëm” duhet të ndalen.

“Lutjet tona janë me njerëzit në Vjenë pas edhe një akti të terrorizmit në Evropë. Këto sulme djallëzore kundër njerëzve të pafajshëm duhet të ndalen. SHBA-ja qëndron me Austrinë, Francën dhe me gjithë Evropën në luftën kundër terroristëve, përfshirë edhe terroristët radikalë islamikë”, ka shkruar Trump në Twitter.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, të martën tha se “terrori islamik është armiku ynë i përbashkët”.

“Lufta kundër këtyre vrasësve dhe atyre që i nxisin – është lufta jonë e përbashkët,” shkroi zëdhënësi i Merkelit në Tëitter, duke shtuar: “solidaritet” me Austrinë.

Për rastin reagoi edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili tha se “Evropa është e bashkuar, dhe e vendosur. Ne jemi një”.

Edhe Turqia ka dënuar sulmet në Vjenë, duke thënë se qëndron në solidaritet me popullin austriak.

“Ne jemi të pikëlluar me lajmin se ka të vdekur dhe të plagosur si rezultat i sulmit terrorist që ndodhi në Vjenë”, tha ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dënoi sulmet në Vjenë duke thënë se “Izraeli dënon sulmin brutal në Vjenë dhe qëndron në solidaritet total me Austrinë.

“Popujt e civilizuar kudo duhet të bashkohen për të mposhtur egërsinë e terrorizmit islamik të ringjallur”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Twitter tha se sulmi terrorist në Vjenë është sulm “ndaj vlerave që ne ndajmë”.

“Ky moment i vështirë do të na afrojë më shumë në luftën kundër terrozmit”, tha Thaçi, duke shtuar se Kosova qëndron përkrahë popullit dhe shtetit austriak.

Postime të ngjashme

Editorial / Reflektimi i Albin Kurtit mund të vijë edhe tek ne

R Zh

Dimitrov: Shtyerja e bisedimeve me BE-në krijon probleme besueshmërie

admin

Fajon: Vetoja bullgare për Maqedoninë e Veriut është jopërgjegjëse

admin

Milloshoski: Nuk pranoj regjistrues në shtëpi nëse nuk është vaksinuar

admin

Limani: Sot unë, nesër Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, Sadulla Duraku, Musa Xhaferi, mund të largohen nga BDI-ja

admin

Kaevski: Deputetët e VMRO-DPMNE-së, Aleanca dhe e Majta të qëndrojnë në anën e qytetarëve

admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...