Agjencia Zhurnal.KS
Editorial Maqedoni TOP LAJM

Nuk është koha që opozita të bëj show politik me çështjen e Bullgarisë!

Shkup, 13 nëntor – Opozita maqedonase insiston që për çështjen me Bullgarinë të bisedojë në Kuvend, por pushteti konsideron se nuk është momenti që të ndodhë një gjë e tillë. Në tema të “nxehta” politike siç është rasti me Bullgarinë duhet të veprohet me shumë gjakftohtësi, me mendje të hapur, pa emocione dhe me shumë mençuri. Nëse çështja hapet në Kuvend, sigurisht se gjithsecili do të tentojë të fitojë pikë politike duke e rënduar në këtë formë të gjithë procesin dhe duke ia mbyllur derën edhe më shumë Maqedonisë së Veriut për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Prandaj, konsiderohet se kërkesa e opozitës më shumë është që të bëjë shoë politik se sa në të vërtetë të zgjidhë çështjen me Bullgarinë. 

Milloshoski kërkon debat në Kuvend

Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe deputet i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski ka theksuar se është jashtë parlamentarizmit, kontrollit të qeverisë dhe vlerave evropiane që ministrat të cilët janë zgjedhur në Kuvend, e të cilët janë të ftuar të shmangin ardhjen në çështje që janë të rëndësishme nga pikëpamja kombëtare, por edhe nga pikëpamja e integrimit evropian. Milloshoski ka theksuar se  mungesa e Zëvendës Kryeministrit Dimitrov dhe Ministrit të Jashtëm Bujar Osmani në Komisionin e Politikës së Jashtme është jashtëzakonisht e papërgjegjshme.

Opozita konsideron se shumica aktuale në pushtet para zgjedhjeve mundeh të bindë se një nga qëllimet elektorale është të kemi institucione efikase, ndërsa tani shohim se deputetët e shumicës qeverisëse parandalojnë që Komiteti i Politikës së Jashtme të jetë një institucion efikas si një trup punues i Kuvendit. Përndryshe, ajo që duhej të diskutohej në Komisionin e Politikës së Jashtme do të propozohet si një pikë në rendin e ditës të seancës plenare.

Titulli i pikës së rendit të ditës të jetë informacion mbi marrëdhëniet maqedono-bullgare në kontekstin e memorandumit shpjegues nga Sofja zyrtare dhe rrezikut të një bllokimi në negociatat me Bashkimin Evropian.

Opozita pohon se kjo pikë do të përmbajë dy konkluzione përveç materialit të bashkangjitur. Me draftin e parë të konkluzioneve , Kuvendi dënon qëndrimet e përfshira në memorandumin shpjegues të Republikës së Bullgarisë dërguar anëtarëve të BE-së në kontekstin e zgjerimit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut si në kundërshtim me Kartën e KB në të cilën një nga qëllimet është zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midis kombeve.  Ndërsa, drafti i dytë  është që Kuvendi u bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE-së Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian për të marrë një vendim të pakushtëzuar për të filluar negociatat duke mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Osmani: Jam i hapur të flas me opozitën

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka thënë se është i hapur të flas me opozitën për çdo çështje, përfshirë çështjet që janë me interes shtetëror dhe publik dhe janë shumë të ndjeshme për të gjithë qytetarët, por nuk jam i gatshëm të jem pjesë e dramës dhe histerisë ditore politike në lidhje me temat kaq shumë të ndjeshme.

Osmani ka thënë se nuk dëshiron as me opozitën në Maqedoni, as me atë në Bullgari, as me politikanë të tjerë, të hyj në një diskurs politik ose debat publik që mund të përdoret për çështje të përditshme politike dhe mund të dëmtojë këtë proces jetësor, veçanërisht tani që është afër përfundimit.

Krye diplomati Osmani theksoi se kjo nuk shmang transparencën dhe komunikimin, por në këtë atmosferë të ngarkuar me emocione, siç tha ai, debate dhe diskutime të tilla në Komision nuk do të kontribuojnë asgjë konstruktive në këto ditë vendimtare të procesit.

Zaev më i matur

Ndryshe nga optimizmi me të cilin fillimisht ishte paraqitur kryeministri Zaev, tani ai ishte më i matur, duke theksuar se bëjnë përpjekje deri në moment të fundit që të japim gjithë energjinë dhe mençurinë e mundshme për të gjetur zgjidhje, por ka pohuar se ka çështje për të cilat askund në botë nuk negociohet dhe nuk do të negociohet as tek ne. Ai ka konfirmuar se përfundimisht ekziston mundësi serioze që të mos e kemi konferencën e parë ndër-qeveritare me BE-në.

Sofja mbetet e palëkundur në qëndrimin se do t’i jep dritë jeshile fillimit të negociatave, vetëm nëse Shkupi pranon se gjuha dhe populli maqedonas kanë rrënjë bullgare. Hapësira për mbajtjen e takimeve të paralajmëruara dypalëshe po ngushtohet, teksa BE më 17 nëntor pritet ta miratojë kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut.

Nevojitet guxim e mençuri, jo show politik

Edhe pse kanë mbetur vetëm katër ditë përpara Këshillit të Ministrave të BE për të diskutuar zgjerimin dhe për të vendosur mbi miratimin e një kornize negociuese me Maqedoninë e Veriut, ende nuk ka asnjë marrëveshje midis Shkupit dhe Sofjes. Bullgaria nuk tërhiqet dhe thotë se nuk mund të japë dritën jeshile derisa të arrihet një kompromis mbi çështjet gjuhësore, emrin e shkurtër dhe temat historike.  Nga ana tjetër, Brukseli nuk heq dorë nga fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe mbetet i mendimit se të dy palët duhet të gjejnë një kompromis dhe se mosmarrëveshjet mund të kapërcehen.

Mesazhet që vijnë nga Brukseli janë inkurajuese or të dy palët që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të gjetur një zgjidhje për problemet e tyre bilaterale.

Zgjidhja e problemit me Bullgarinë është rivendosja e besimit në Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë, si i vetmi instrument dhe garanci për kapërcimin e të gjitha dallimeve.

Maqedonia e Veriut duhet të bëjë gjithçka që ishte e mundur për të përfaqësuar me dinjitet interesat e shtetit dhe brenda kësaj kornize për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

Në këtë moment nuk është koha për kalkulime politike, prandaj edhe kërkesa e opozitës është në kundërshtim me situatën ku vendi ndodhet. Një opozitë e mirëfilltë duhet të mbështesë pushtetin që të gjejë zgjidhje në këto moment delikate dhe të marrë mësim nga çështja e tejzgjatur me Greqinë.

Postime të ngjashme

Editorial / Reflektimi i Albin Kurtit mund të vijë edhe tek ne

R Zh

Dimitrov: Shtyerja e bisedimeve me BE-në krijon probleme besueshmërie

admin

Fajon: Vetoja bullgare për Maqedoninë e Veriut është jopërgjegjëse

admin

Milloshoski: Nuk pranoj regjistrues në shtëpi nëse nuk është vaksinuar

admin

Limani: Sot unë, nesër Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, Sadulla Duraku, Musa Xhaferi, mund të largohen nga BDI-ja

admin

Kaevski: Deputetët e VMRO-DPMNE-së, Aleanca dhe e Majta të qëndrojnë në anën e qytetarëve

admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...