Agjencia Zhurnal.KS
Bota

Pakti i SHBA-së do i mbetet historisë, nuk hapen ambasadat në Jerusalem

Pas fitores së Joe Biden, marrëveshja e 4 shtatorit në mes të Serbisë dhe Kosovës e nënshkruar në Washington do t’i mbetet historisë. Kështu ka thënë për Express eksperti gjerman dhe njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber. Sipas tij, nga ato që janë nënshkruar nën ndërmjetësimin e Trump do të mbijetojë pjesërisht vetëm vendosja e raporteve mes Kosovës dhe Izraelit, meqë thekson se as Beogradi e as Serbia s’do t’i dërgojnë ambasadat në Jerusalem. Analisti gjerman thotë se ardhja e Joe Biden në krye të shtetit më të fuqishëm në botë nënkupton bashkëpunim të ngushtë me Brukselin e Berlinin dhe fund të aktrimit të deritanishëm nga Richard Grenell në procesin e negociatave Kosovë-Serbi.

Si mendoni se do të ndikojë fitorja e Joe Biden në procesin e dialogut Kosovë – Serbi?
Ardhja në pushtet e administratës së Bidenit dhe largimi i administratës së tanishme të Trumpit duhet dhe do të ketë pasoja për dialogun Kosovë – Serbi. Shtetet e Bashkuara, siç ka njoftuar tashmë fushata e Bidenit në dy deklarata me shkrim, do të kthehet në një bashkëpunim të ngushtë transatlantik me Brukselin, por së pari dhe mbi të gjitha me kryeqytetet kyçe si Berlini, siç ka qenë rasti para se Richard Grenellit dhe para se John Boltoni ta largonte pozicionin e Shteteve të Bashkuara nga pozicioni i shumicës së BE-së e drejt hapjes ndaj idesë së rrezikshme për shkëmbimin e territoreve. Kjo nënkupton një rikthim në kornizën origjinale, parimet dhe kushtet origjinale (ndaj Beogradit) të dialogut politik të viteve 2012-2014 që mundësuan përparim dhe progres historik.

Çfarë do të ndodhë me Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar gjatë administratës së Trumpit?
Ajo do t’i mbetet historisë, ndërsa ato pjesë që lidhen me çështjen Kosovë – Serbi dhe me veprimet e mëparshme të BE-së do të kthehen në kornizën e BE-së, si procesi i Berlinit. Nga pikat që nuk lidhen me rajonin dhe që paraqitën një keqpërdorim trashanik politik të Kosovës dhe Serbisë dhe mosmarrëveshjes së tyre, do të mbijetojë vetëm krijimi i marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, ndërsa as Kosova, as Serbia nuk do të hapin ambasadat në Jerusalem.

A mendoni se do të ketë bashkëpunim më të mirë mes ShBA-së dhe BE-së për procesin e dialogut?
Do të shohim përsëri bashkëpunim, bashkëpunim të ngushtë. ShBA-ja do t’ia njohë dhe do të jetë e lumtur t’ia lë rolin udhëheqës BE-së – ndryshe nga qasja e njëanshme, uzurpuese dhe aktrimi që pamë gjatë vitit të kaluar në periudhën e Grenellit.

A prisni një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke, tani që Joe Biden do t’i udhëheqë Shtetet e Bashkuara?
Unë pres që ShBA-ja dhe BE-ja të bëhen bashkë, veçanërisht Bideni dhe Kancelarja Merkel, të bëjnë një nismë për t’i rivendosur negociatat, domethënë t’i fillojnë negociatat e vërteta për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, pas tre vjetëve në të cilët ato nuk ishin të tilla. Kjo nënkupton që të riafirmohen parimet (e drejtpërdrejta dhe të nënkuptuara) të kornizës origjinale të dialogut – që koha e ndryshimit të kufijve në Ballkan ka kaluar shumë kohë më parë dhe se Serbia duhet të bëhet reale në atë për të cilën është mirë e vetëdijshme që një kohë të gjatë, domethënë që Kosova ka shkuar dhe nuk do të kthehet, me qëllim që të qëndrojë dhe të mbetet në dialog dhe përfundimisht të bëhet partnere e vërtetë e Perëndimit. Më pas, pres që të fillohen negociatat e vërteta që çojnë në një marrëveshje vërtet përfundimtare, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që gjithashtu do të garantojë jetë normale për qytetarët serbë të Kosovës. Një marrëveshje që më pas do ta hapë rrugën për transformimin e vërtetë demokratik të dy shoqërive.

Çfarë nënkupton për Serbinë fitorja e Joe Bidenit?
Ajo për Serbinë, domethënë për Vuçiqin, nënkupton që do të detyrohet të bëjë një kthesë tjetër politike rreth Kosovës, deri aty ku ai ishte kur Serbia hyri në dialogun politik me marrëveshjen e prillit të vitit 2013, kur kryeministri i atëhershëm, Daçiq, publikisht u tha qytetarëve të Serbisë se vendi ka nevojë që të ndalet së gënjyeri veten që Kosova është ende ose që do të jetë ndonjëherë përsëri pjesë e Serbisë, dhe para pikës kur Serbia u transformua në një shtet autoritar, autokratik dhe thellësisht i paqëndrueshëm./GazetaExpress/

Postime të ngjashme

Afrikë, shkon mbi 110 mijë numri i vdekjeve nga COVID-19

S.B.

Vendimi për lockdownin gjatë pashkëve, Merkel u kërkon falje gjermanëve

S.B.

Borell: BE synon krijimin e rrjetit për parandalimin e sulmeve kibernetike

S.B.

Blinken vazhdon presionin ndaj Berlinit mbi ”Nord Stream 2”

S.B.

SHBA i kërkon Johnson & Johnson respektimin e kontratave të furnizimit

S.B.

Merkel kthen mbrapsht vendimin për mbyllje totale gjatë Pashkëve

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...