Mospërkrahjen e sektorit të ekonomisë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po e konsideron skandaloze, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i kësaj partie Kujtim Gashi, tha se Qeveria nuk asnjë plan sa i përket përkrahjes së sektorit të ekonomisë dhe se vendimet e marra për mbyllje janë pa ndonjë vizion e plan të mirë-menduar.
“Partia Demokratike e Kosovës e konsideron skandaloze situatën kur ekonomia nuk përkrahet e mbështetet, dhe qeveria vendos ta mbyll edhe më shumë atë, e veçmas gastronominë pa ndonjë vizion e plan të mirë-menduar”.
Ai më tej ka shtuar se kjo parti nuk është kundër masave që kanë për qëllim mbrojtjen e jetës së qytetarëve, por që ka pyetur cili është efekti i tyre.
Ai ka kërkuar që sektori privat ta subvencionojë me pako financiare dhe të sigurohen të ardhurat për punëtorët e këtij sektori, ngase sipas tij, vendimet e paanalizuara mirë veçse do ta rëndojë edhe më shumë krizën ekonomike.
“Jemi dëshmitarë që qeveria, së fundmi merr vendime të çuditshme sa i përket masave kufizuese, siç ishte edhe vendimi i fundit ku në fundjavë pati mbyllje të përgjithshme, kurse kufijtë ishin të hapura me çka shumë qytetarë kaluan fundjavën në vendet përreth. Shtrohet pyetja, cilat kanë qenë efektet e kësaj mbyllje?”.
“PDK-ja nuk është kundër masave të cilat kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit publik, dhe bëhen me propozime të profesionistëve, por paraprakisht kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që sektorin privat në Republikën e Kosovës ta subvencionojë me pako financiare dhe të sigurohen të ardhurat për punëtorët e sektorit privat “.
“Në të kundërtën, qeveria me vendimet e pa-analizuara mirë veçse do ta rëndojë edhe më shumë krizën ekonomike duke mbyllur shumë biznese dhe duke lënë pa punë mijëra punëtorë të sektorit privat, duke prodhuar kështu një krizë të re sociale”.