Agjencia Zhurnal.KS
Shqipëri

Pensioni, burimi kryesor i të ardhurave për një të tretën e familjeve në Shqipëri

Burimet e të ardhurave të familjeve në dekadën e kaluar tregojnë se ekonomia shqiptare ka qëndruar në vendnumëro në modelin e saj të zhvillimit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të përfituara nga një anketë e posaçme, burimi kryesor i të ardhurave në familje mbetet pensioni, ku shihet se në 33 për qind të familjeve të anketuara, kjo e ardhur ishte kryesorja.

Edhe në vitin 2010, pensioni kishte të njëjtën peshë në të ardhurat e familjeve, pasi 31 për qind të tyre e kishin përcaktuar si burim kryesor. Me plakjen e popullsisë dhe largimin e më shumë familjeve në emigracion, shihet se të ardhurat nga pensioni e kanë zgjeruar peshën në të ardhurat e familjeve gjatë dekadës me 2 për qind.

Burimi i dytë më i madh i të ardhurave, në 2 për qind, në familjet shqiptare, është punësimi në sektorin privat. Ky burim të ardhurash shihet të jetë reduktuar nga viti 2010, ku raportohej se 27 për qind e familjeve i siguronin të ardhurat në këtë mënyrë.

Burimi i tretë më i madh janë të ardhurat nga vetëpunësimi, të cilat janë mjeti kryesor për jetesën e 24 për qind të familjeve. Në raport me vitin 2010, familjet që sigurojnë të ardhurat nga vetëpunësimi janë rritur me 4 pikë përqindje. Vitet e fundit, të vetëpunësuarit janë në krizë për shkak të konkurrencës nga zinxhirët e mëdhenj dhe rënies së konsumit.

Burimi i katërt më i madh i të ardhurave është sektori shtetëror, burimi kryesor për 11 për qind të familjeve shqiptare. Ky burim të ardhurash ka pësuar rënie të peshës me 2 pikë përqindje nga viti 2010.

Remitancat janë ende një furnizues i madh me të ardhura i ekonomive familjare. Në 6-mujorin e parë të këtij viti, 5 për qind e familjeve shqiptare kanë pohuar se kishin burim kryesor të ardhurash prurjet nga emigracioni. Pesha e tyre në raport me vitin 2010, ka pësuar ulje me 2 pikë përqindje, por për një përqindje më të madhe familjesh, remitancat vijojnë të jenë një ndër burimet kryesore të të ardhurave.

Vetëm 1 për qind e familjeve kanë raportuar burim kryesor të ardhurash asistencën sociale, në raport me 3 për qind të familjeve në vitin 2010. Ndërsa është rritur numri i familjeve që kanë si burim kryesor, të ardhura nga qira ose nga dividendët në 2% të totalit të familjeve në anketë, në vitin 2010 ishin vetëm 1 për qind e familjeve që i siguronin të ardhurat në këtë mënyrë. /Monitor/

Postime të ngjashme

Stërvitja e NATO-s në Shqipëri një ditë pas zgjedhjeve, Peleshi: Jo thjesht një stërvitje, ja çfarë domethënie ka për vendin

S.B.

“Kufizimet nuk ndryshojnë”, Komiteti Teknik i Ekspertëve: Masat në fuqi edhe për 2 javë të tjera

S.B.

Rama-Manastirliu nga Kamza: Finalizohet marrëveshja për vaksinat kineze, javën që vjen nis vaksinimi masiv

S.B.

SHBA dhuron 29 mjete të blinduara për Forcat e Armatosura të Shqipërisë

S.B.

“Hajde themi Rama ik”/ Rama në Kamëz me fëmijët, batuta: Jepu një Iphone Rakip ta shohësh sa prapa je

S.B.

Grida Duma padit Erion Veliajn për shpifje

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...