Agjencia Zhurnal.KS
Maqedoni Temë TOP LAJM

Kontesti Shkup-Sofje, Merkel po bënë maksimalen, ku mbetën liderët tjerë të BE-së?

Shkup, 11 nëntor, zhurnal.mk – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të martën është takuar në Sofje dhe kryeministrin bullgar, Bojko Borisov, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për çështjet e hapura mes dy vendeve, pavarësisht se Bullgaria veçse ka njoftuar Bashkimin Evropian se nuk pranon kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriut.

Pala bullgare konteston identitetin sikur edhe gjuhën maqedonase, me pretendimin se ato deri para vitin 1945 kanë pasur “rrënjë bullgare”. Sikur këtë ta pranonte Maqedonia e Veriut, atëherë Bullgaria do të mbështeste nisjen e bisedimeve, por kjo është kundërshtuar nga autoritetet maqedonase.

Takimi në Sofje është zhvilluar në kuadër të samitit për Ballkanin Perëndimor, si pjesë e Procesit të Berlinit, por nuk janë dhënë detaje nga ajo që është biseduar mes dy kryeministrave.

Nga Qeveria maqeodnase thonë se dy kryeministrat në Sofje nuk kanë pasur takim “tet a tet” por janë parë në seancat plenare në suaza të Procesit të Berlinit.

Por shteti që po bën më shumë presion dhe përpjekje që të zgjidhet sa më shpejtë kontesti Sofje-Shkup është Gjermania që tanimë kryeson me Bashkimin Evropian.

Gjatë konferencës për shtyp në kuadër të Procesit të Berlinit, kancelarja gjermane Angela Merkel, u shpreh se Procesi i Berlinit gjithmonë ka qenë i ndërlidhur me tejkalim të mosmarrëveshjeve dhe se vendet e rajonit duhet të dakordohen mes vete.

“Procesi i Berlinit ka qenë gjithmonë i ndërlidhur me pajtime dhe tejkalim të mosmarrëveshjeve, besojmë se ky proces do të vazhdoj. Shenjë e mirë është që Konferenca në kuadër të Procesit të Berlinit mundësoi që njerëzit të takohen. Inkurajojmë vendet e Ballkanit perëndimore që të thellojnë bashkëpunimin në shkencë, sepse ajo është mënyra më e mirë që të promovohet hulumtimi dhe inovacioni që të gjithë e duamë, dhe kjo do ta përmirësoj gjendjen edhe në vendin tuaj”, deklaroi Merkel.

Kancelarja gjermane kujtoi kryeministrat Zaev dhe Borisov që duhet të gjejnë marrëveshje për kontestin Sofje-Shkup.

Në opinion përveç presionit dhe përkushtimit të Gjermanisë nuk është vërejtur ndonjë interesim i madh nga shtetet tjera anëtare të BE rreth zgjidhjes së çështjes mes Sofjes dhe Shkupit.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se shtetet që janë në kuadër të BE-së kanë interesa të ndryshme mes tyre të cilët detyrohen të përkrahin shtetin i cili është brenda në Union.

Ismet Ramadani nga Këshilli Euroatlantik për Zhurnal thotë se duke pasur parasysh interesat e shteteve anëtare në këtë rast nuk mund të vijë në shprehje subjektiviteti ose simpatia sa është interesi.

Megjithatë ai thotë se shpresat për zgjidhje nuk duhet humbur, sepse Gjermania ka ndikim të madh brenda BE-së e sidomos ndaj Bullgarisë. Sipas tij Gjermania ka qenë promotore kryesore për antarësimin e Bullgarisë në BE.

“Edhe pse Maqedonia e Veriut gëzon mjaftë simpati tani edhe në shtetet e BE-së por edhe Gjermania si kryesuese e BE-së. Mirëpo duhet ta kemi parasysh faktin se shtetet që janë në kuadër të BE-së kanë interesa të ndryshme midis tyre të cilat në një mënyrë pra deteyrojnë që të përkrahin shtetin i cili është brenda në Union. Në këtë drejtim nuk mund të vijë shumë në shprehje subjektiviteti ose simpatia sa është interesi. Ndoshta këto shtete duke i pasur parasyshë vlerat evropiane, mund të jenë përkrahësit të Maqedonisë së Veriut në këtë rast, mirëpo kur kemi parasyshë këto interesa atëherë zakonisht solidarizohen me shtetin që është brenda në BE. Ne kështu raste të tilla kemi pasur edhe më herët, edhe në NATO dhe në BE. Psh kemi përmend më pak Francën kur duhej të merrej data për bisedime, dhe kishte tjera të solidarizuara që e përkrahnin Francën. E njejta na ka ndodhur edhe në Samitin e NATO-s. Dmth shtetet që janë brenda për brenda gjithnjë për shkak interesave të tyre konkrete që i kanë, në momentin e fundit e përkrahin shtetin që është në BE. Por nuk duhet të humbet shpresa, duke marrë parasyshë se Gjermania përvec që ka ndikim në shtetet tjera të BE-së, ka një ndikim tradicional edhe te Bullgaria, sepse promotore kryesore për antarësimin e Bullgarisë në BE ka qenë pikërisht Gjermania. Fjala e Merkelit shpresoj të respektohet nëse dyja palët janë të gatshëm të bëjnë një kompromis të arsyeshëm”, ka deklaruar për Zhurnal, Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik.

Nga ana tjetër, ish Ambasadori Muhamed Halili për Zhurnal thotë se është shumë e natyrshme që Gjermania po bën presionin më të madh për tu zgjidhur kontesti mes Shkupit dhe Sofjes sidomos kur Gjermania është kryesuese e BE-së.

Sipas tij Gjermania dëshiron ta mbyllë me sukses kryesimin me BE-në andaj dëshiron që kontesti Shkup-Sofje të ketë epilog të suksesshëm, gjegjësisht të zgjidhet çështja.

“Normale është ajo që Gjermania dëshiron të ketë sukses, dhe nëse e mbyllë kryesimin pa një sukses, atëherë del si dështim i Gjermanisë, veçanarisht si fuqi e madhe në BE e cila don që të zgjidhë këtë problem dhe të dëshmohet para tjerëve se është fuqi brenda BE-së. Gabimi ka qenë deri tash se forcat tona politike, elitat, këtë problem e kanë shpreh si problem bilateral i cili nuk do të ndikon në vendimin e përgjithshëm, gjë që ndodhi e pasaktë ashtu siç ndodhi e pasaktë edhe konstatimi në lidhje me Greqinë. Gjithë e panë se me Greqinë duhet të zgjidhen çështjet bilaterale pastaj të aplikohet për në BE dhe kjo ndodhi. Fakti që elitat politike e mohonin këtë, i solli deri këtu”, ka deklaruar për Zhurnal, Muhamed Halili, ish Ambasador.

Presionin gjerman mbi Bullgarinë për të zgjidhur çështjen sa më parë, e ka konfirmuar edhe zv/kryemnistri bullgar, Krasimir Karakaçanov.

Gjermania bën presion mbi Bullgarinë për të filluar negociatat midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimi Evropian, thotë ai.

“Disa maqedonas besojnë se gjermanët dhe disa vende të tjera evropiane do të na bëjnë presion dhe ne do të pajtohemi pa kushte t’i mbështesim ata. Ata na bëjnë presion, fakt! Bullgaria ka dinjitetin e saj, politikën e saj dhe është një shtet sovran. Askush nuk mund të na thotë se duhet t’i kthejmë shpinën 1.000 vjetëve”, tha Karakaçanov për “Nova” të Bullgarisë.

Dy vendet kanë shpresuar se me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë të arritur në vitin 2017 do të zgjidhin dallimet, por në vend të kësaj, ato janë thelluar edhe më shumë duke bërë që palët të akuzojnë njëra-tjetrën jo vetëm për shkeljen e saj, por edhe për sjellje agresive.

Vetoja bullgare ndërkohë ka shtuar drojën nëse Maqedonisë së Veriut po i përsëritet rasti me Greqinë, e cila për gati 20 vjet bllokoi integrimin evropian të shtetit, për shkak të moszgjidhjes së kontestit me emrin.

Postime të ngjashme

Editorial / Reflektimi i Albin Kurtit mund të vijë edhe tek ne

R Zh

Dimitrov: Shtyerja e bisedimeve me BE-në krijon probleme besueshmërie

admin

Fajon: Vetoja bullgare për Maqedoninë e Veriut është jopërgjegjëse

admin

Milloshoski: Nuk pranoj regjistrues në shtëpi nëse nuk është vaksinuar

admin

Limani: Sot unë, nesër Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, Sadulla Duraku, Musa Xhaferi, mund të largohen nga BDI-ja

admin

Kaevski: Deputetët e VMRO-DPMNE-së, Aleanca dhe e Majta të qëndrojnë në anën e qytetarëve

admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...