Agjencia Zhurnal.KS
Maqedoni TOP LAJM

Qeveria, do të “mbytë” qytetarët si nga xhepi ashtu dhe nga ajri!

Shkup, 13 nëntor, zhurnal.mk – Problemi i ndotjes së ajrit në qytetet në Maqedoninë e Veriut është një problem i vjetër. Prandaj, qytetarët në qytete të vendosura në lugina janë vazhdimisht të ekspozuara ndaj përqendrimeve më të larta se sa lejohet. Të gjitha raportet tregojnë se ka një rritje të mprehtë të përqendrimeve gjatë sezonit të ngrohjes, tre deri në katër herë. Shkup dhe Tetovë për shembull, kanë shumë ditë në vit që tejkalon maksimumin e përcaktuar të vlerave mesatare ditore të grimcave PM2.5 dhe PM10.

Situata në qytete të tjera të mëdha është e ngjashme, por për fat të keq, përveç matjeve nga stacionet matëse, nuk ka studime gjithëpërfshirëse dhe të hollësishme, megjithëse ka studime indikative që tregojnë se ndotësit më të mëdhenj në këto lugina janë ngrohja, mbetjet dhe industria.

Maqedonia e Veriut synon që të ulë ndotjen e ajrit përmes rritjes së gjobave, por edhe padive penale për të gjithë personat juridikë dhe fizikë, të cilët kapen duke ndotur apo nxitur ndotjen e ambientit jetësor.

Kjo parashihet me ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje, pasi siç thuhet në tekstin që është duke u hartuar, masat që janë aktualisht në fuqi nuk po japin efektet e duhura në parandalimin e ndotjes së ajrit.

Me ndryshimet e reja në ligjin për kundërvajtje, nëse një qytetar ndot mjedisin, ai mund të gjobitet deri në 5,000 euro. Nga ana tjetër, ndërmarrjet e mëdha mund të marrin gjoba deri në 200,000 euro. Megjithatë, shuma e gjobës mund të jetë edhe më e ulët. Çdo gjë do të varet nga dëmi i shkaktuar. Kjo do të përcaktohet nga inspektorët e mjedisit.

Inspektoratet gjithashtu kanë bërë kontrolle, por gjoba dhe ndalim të punës ka pasur vetëm për një kombinat metalurgjik në rajonin e Tetovës, për shkak të mosvendosjes së filtrave për mbrojtjen e ambientit.

Ndër masat që kohë më parë u paralajmëruan nga Qeveria është dhe vendosja e filtrave nëpër vende të caktuara ku do të ulej për 50% ndotja e ajrit, por ky proces nuk është zbatuar në tërësi. Qytetarët kanë shprehur indinjatën e tyre rreth rritjes së gjobave. Ata thonë se njëherit Qeveria duhet të zbaton projektet e tyre në tërësi për uljen e ndotjes së ajrit, pastaj të vendos gjobat e larta.

Organizatat ekologjike duan ekzistimin e një organi të pavarur për mbikëqyrjen e procesit në mënyrë që të jenë të sigurtë që vendosja e filtrave do të jetë në përputhje me rregullat dhe standardet ligjore.

Drejtuesi i shoqatës “Eco Guerila”, Arianit Xhaferi, thotë për Zhurnal, se më me rëndësi se rritja e gjobës është zbatimi i Ligjit për kundërvajtje.

Ai thotë se është e kot të rriten gjobat nëse ato nuk zbatohen nga inspektoratet përkatëse.

“Çdo ndotës i ajrit dhe i mjedisit duhet të ndëshkohet. Por ajo që është me rëndësi është që gjobat të realizohen, të paguhen nga kundërvajtësit e jo të persekutohen në mënyrë selektive. Sigurisht që subjektet afariste duhet të paguajnë gjoba më të larta, por edhe qytetarët duhet të bëhen të përgjegjshëm, dhe nëse nuk i bën të përgjegjshëm vetëdija për të mbrojtur ajrin, ujin dhe tokën, atëherë gjobat do i detyrojnë ta respektojnë mjedisin, dhe me këtë shëndetin e të gjithëve”, ka deklaruar për Zhurnal, Arianit Xhaferi nga Eco Guerila.

Ndryshime do të ketë edhe në Ligjin për mbrojtjen e ambientit përmes të cilit Ministria e Ekologjisë synon gjithashtu mbrojtjen e mjedisit, me çka do të rregullohet trajtimi i gomave që janë një nga ndotësit e mëdhenj, pastaj i makinave të vjetra, ujërave ndotëse, tekstilit, paketimit të prodhimeve para se të nxirren në treg, e çështje tjera.

Me uljen e temperaturave dhe nisjen e sezonit të ngrohjes, në Maqedoninë e Veriut është paraqitur ndotja e ajrit. Por, kryetari i Shkupit, Petre Shilegov më herët ka deklaruar se gjendja nuk është aq alarmante meqë sipas tij ndotja nuk është në nivelet e viteve të kaluara dhe se masat që janë ndërmarrë nga autoritetet e kryeqendrës kanë nisur të japin rezultate.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, ndotja e ajrit mbetet rreziku më i madh ekologjik ndaj shëndetit në Maqedoninë e Veriut. Sipas listës së publikuar mbi vdekjet në vendet e rajonit dhe të Evropës, Maqedonia e Veriut renditet e 30-ta me 120 vdekje në 100 mijë banorë.

Postime të ngjashme

Editorial / Reflektimi i Albin Kurtit mund të vijë edhe tek ne

R Zh

Dimitrov: Shtyerja e bisedimeve me BE-në krijon probleme besueshmërie

admin

Fajon: Vetoja bullgare për Maqedoninë e Veriut është jopërgjegjëse

admin

Milloshoski: Nuk pranoj regjistrues në shtëpi nëse nuk është vaksinuar

admin

Limani: Sot unë, nesër Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, Sadulla Duraku, Musa Xhaferi, mund të largohen nga BDI-ja

admin

Kaevski: Deputetët e VMRO-DPMNE-së, Aleanca dhe e Majta të qëndrojnë në anën e qytetarëve

admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...