Agjencia Zhurnal.KS
Kulturë

“Qyteti im gjatë pandemisë” me imazhe të jetës në kontraste

Pandemia e koronavirusit ka ndryshuar mënyrën e jetesës në të gjithë botën, e imazhe të ndryshme nga fotografët janë ato që lënë gjurmë dokumentuese për situatën në të cilën po kalon e gjithë bota. Në hollin e ish-ndërtesës së “Rilindjes”, tash objekt qeveritar, është përmbledhur realiteti i kësaj pandemie nga perspektiva të ndryshme. Rrugët e sheshet e zbrazura dhe maskat dominojnë imazhet e ekspozitës “Qyteti im gjatë pandemisë”, që është hapur të martën.

Rreth 25 fotografë kanë qenë pjesë e konkursit të organizuar nga Instituti i Planifikimit Hapësinor në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ku janë shpërblyer tri fotografitë më të mira, ku me vendin e parë është shpërblyer fotografi Kushtrim Krasniqi, me vendin e dytë është shpërblyer Arben Llapashtica dhe me vendin e tretë është shpërblyer Astrit Maloku.

Mbishkrimi “Stres” vërehet qartë në njërën nga tri fotografitë kryesore të ekspozitës. E maska qëndron në mesin e gjërave të tjera në një ndërtesë të braktisur në Prizren. Fotografi i ri Kushtrim Krasniqi, i cili është shpërblyer me vendin e parë, ka thënë se me foton e tij ka synuar të sjellë të kundërtën si mesazh.

“Po besoj që fotografia flet vetë, aty paraqiten maska, stresi dhe varfëria. Të gjitha këto na i ka sjellë pandemia dhe mesazhi dhe dëshira ime përmes kësaj fotografie është që të mos kemi më as stres dhe as varfëri”, ka thënë fotografi Krasniqi për KOHËN.

Derisa secila fotografi është një ndalesë në një moment gjatë pandemisë, aty paraqitet përditshmëria e fotografëve. Pandemia, e cila ka ndikuar në të gjitha fushat, ka prekur veçmas mënyrën se si po mbahet mësimi. Kjo pasqyrohet nëpërmjet fotografisë ku nxënësit presin para derës së shkollës duke ruajtur distancën me njëri-tjetrin. E numri i zyrtarëve policorë në shesh është më i madh se çdoherë. Kjo është ngrirë edhe nëpërmjet fotografisë së shkrepur nga fotografi Arben Llapashtica, i cili është shpërblyer me vendin e dytë në konkursin “Qyteti im gjatë pandemisë”.

“Natyrisht në fotografitë e mia kanë dominuar këta policë të cilët kanë qenë ndoshta më të ekspozuarit dhe më të frekuentuarit që është dashur ta mbajnë rendin për zbatimin e masave”, është shprehur Llapashtica.

Llapashtica, i cili punon si kameraman dhe drejtor i fotografisë në Kohavision, ka thënë se pamjet e tij në fotografi dhe video gjatë kohës së pandemisë përcjellin dinamikë të ndryshme në kryeqytet, bazuar edhe në ndryshimin e masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

“Gjatë kësaj kohe në fotot e mia kanë dominuar shumë kontraste të mëdha për shkak se kam video dhe foto kur është qyteti i zbrazët dhe kam foto kur është qyteti i mbushur”, ka thënë fotografi Llapashtica.

Fotografi Fahredin Spahija, i cili ka qenë anëtar i jurisë së konkursit “Qyteti im gjatë pandemisë”, ka thënë se ndihet i mahnitur me fotografitë të cilat u janë përgjigjur kërkesave të konkursit.

“Nga ky konkurs kanë dalë rreth 50 fotografi. Unë kam qenë edhe vitin e kaluar dhe jam befasuar për të mirë. Këtë vit ka fotografi më të mira. Fotografitë fituese në veçanti janë shumë të mira dhe janë tema të angazhuara dhe tregojnë atë çfarë e ka kërkuar konkursi dhe i japin më shumë sharm konkursit”, ka thënë Spahija për KOHËN.

Ky konkurs është organizuar nga Instituti i Planifikimit Hapësinor në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit në bashkëpunim me GIZ-in për të shënuar Ditën Botërore të Planifikimit të Qyteteve.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka thënë se në këtë ditë e shënojnë me thirrjen për ngritjen e vetëdijes për të ndikuar pozitivisht në situatën hapësinore në Kosovë.

“Përmes këtij konkursi, qytetarët me fotografitë pjesëmarrëse kanë ardhur tek ne me mesazhe që do të ndikojnë në krijimin e imazhit të qartë për qytetin dhe veprimet që duhet të planifikohen në rrethana të ngjashme”, është shprehur ministri Kuçi.

Ekspozita “Qyteti im gjatë pandemisë” do të qëndrojë e hapur për një javë në hollin e ndërtesës “ish- Rilindja”.

Postime të ngjashme

Anulohet Festivali i Rokut në Gjenevë

S.B.

Futet në librin e rekordeve Guiness, shitet piktura më e madhe në botë për 62 milionë dollarë në Dubai

S.B.

Garvanliev të mbetet përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut në Eurosong 2021

T E

Librat e Kunderës, betejë e përjetshme e njeriut me sistemin

S.B.

Vdes poeti dhe eseisti i njohur polak, Adam Zagajewski

S.B.

Shoqata Tradita e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar Shtigje poetike

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...