Agjencia Zhurnal.KS
Maqedoni Rekomanduar Temë TOP LAJM

Sa kanë ndihmuar hoxhallarët në parandalimin e terrorizmit dhe ngritjen e vetëdijes?

Shkup, 6 nëntor – Zhurnal.mk – Ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi janë nyja e ndërlikuar në mozaikun e gjerë të shtet-ndërtimit gjithkund në botë. Ekstremizmi është dukuri e krijuar nga vet njerëzit dhe assesi nga asnjë religjion kudo në botë. Asnjë fe nuk bën thirrje për vrasje, ekstremizëm dhe terror, por çuditërisht, për shumë vite me radhë këto etiketime po i mveshen fesë islame. Çdoherë kur ndodhin vrasje të ndryshme, dhe kryerësi qëllon të jetë musliman, ajo vrasje quhet radikalizëm islamik apo ekstremizëm islamik, shkruan Zhurnal.

Çfarë do të thotë “Feja Islame”?

Feja Islame do të thotë “Paqë”. Fjala “Islam” do të thotë të jetosh në paqe me vetveten, familjen dhe rrethin ku jeton. Fjala “musliman” do të thotë njeri i cili në mënyrë vullnetare i nënshtrohet vullnetit të Zotit dhe paqen e ka obligim të vetin.

Në Kur’anin famëlart (El Bekare 256) thuhet se në fe nuk ka dhunë. Gjithashtu, në Kur’an (5:32) thuhet se “Kush mbyt një njeri pa të drejtë, pa pas mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pas bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë krimi i tij është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit”.

Sipas këtyre ajeteve në Kur’an, mund të dëshmohet se krimet dhe vrasjet që ndodhin në botë në emër të islamit, në fakt nuk kanë të bëjnë fare me islamin si fe. Njohësit thonë se ata janë të manipuluar nga mediat sociale dhe qarqe të ndryshme.

Por çfarë kanë të përbashkët terrorizmi, radikalizmi dhe ekstremizmi me islamin?

Hoxhallarët thonë “ASGJË”.

Hoxhë Metush Memedi nga Dizhoni i Shkupit, në një prononcim dhe sqarim për Agjencinë e lajmeve Zhurnal, shprehet se themeli i islamit si fe nuk na lejon as të mendojnë e jo më të kryejmë ekstremizëm dhe terrorizëm.

Sipas tij, problemi më i madh tek këto veprime është etiketimi dhe mveshja e radikalizmit ndaj fesë islame, ndërsa kjo gjë në islam luftohet ashpër.

“Themeli i fesë tonë realisht nuk na lejon në asnjë mënyrë që dikush jo të thërret por as të mendon në ekstremizëm e terrorizëm. Të gjithë djemtë në botë që akuzohen në thojza për këtë çështje, për terrorizëm, ekstremizëm në thojza islamik, se problemi më i madh tani është se kur veprën e kryen një musliman, menjëherë vepra etiketohet si ekstremizëm islamik. Në vendin tonë gati çdo javë ndodhin vrasje për shkaqe të ndryshme, mirëpo nëse kryerësi ka sado pak lidhje të vogël me fenë, dhe nëse politikës i intereson, menjëherë i’a mveshin radikalizmin islamik, gjë që ne fuqishëm e mohojmë dhe e kundërshtojmë”, shprehet hoxhë Memedi.

hoxhë Metush Memedi

Por sa ka kontribuar Bashkësia Fetare Islame dhe hoxhallarët e vendit për ngritjen e vetëdijes tek të rinjtë me qëllim parandalimin e dukurive të tilla.

Hoxhë Metush Memedi shprehet se ai për 18 vite me radhë në xhami e ka trajtuar këtë çështje duke bërë thirrje të luftohet ekstremizmi dhe terrorizmi dhe duke u sqaruar se luftërat në Siri e vendet tjera, nuk kanë të bëjnë asgjë me neve.

“Ne qe 18 vite me radhë në xhami e kemi trajtuar këtë çështje sepse kemi patur luftëra të ndryshme por muslimanët gjithkund çdo herë janë mbrojtur dhe asnjëherë nuk kanë bërë thirrje për vrasje të dikujt, bile ne jemi ato hoxhallarë që gjithnjë e kemi luftuar dhe nuk do të ndalemi sepse e dimë që feja islame është e pastër dhe aspak nuk ka të bëjë me ekstremizëm dhe radikalizëm.

Më herët kemi patur më tepër probleme të tilla mirëpo çdo herë e kemi luftuar, ju kemi thënë nëpër xhami dhe rrjete sociale njerëzve që ajo që po ndodhë në Siri nuk ka të bëjë aspak me neve. Ajo që ndodhë në Libi nuk ka të bëjë me ne. Madje ato vet bënin thirrje “mos ejani se nuk kemi nevojë për njerëz por për lutjet tuaja””, shprehet Memedi.

Edhe muftiu i Shkupit, teologu Qenan Ismaili shprehet se Bashkësia Fetare Islame ka dhënë një kontribut të madh me ligjeratat dhe seminaret e ndryshme me qëllim që hoxhallarët të ligjerojnë lidhur me dukuritë devijante që e tangojnë popullin e vendit tonë, një prej të cilave ka qenë dhe bashkimi me grupe të caktuara terroriste.

Ismaili thotë se gjeneratat e reja duhet të kenë prioritet arsimimin, mirëqenjen sociale, mirëmbajtjen e familjes e shoqërisë ku jeton dhe aspak të mos meren me gjëra të tilla.

“Bashkësia Fetare Islame në përgjithësi dhe Muftinia e Shkupit në këtë rast, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm qoftë me ligjeratat e tyre, me seminare të organizuara të ndryshme, një prej tyre ka qenë një seminar që e organizoi Muftinia e Shkupit me të gjithë hatibët, pra ligjëruesit e xhamive të Shkupit. Aty është biseduar se si duhet mbajtur ligjeratat, si duhet të përcillet dhe çfarë është më e nevojshme për popullatën dhe vendin në të cilin jetojnë besimtarët, në veçanti për gjeneratat e reja është dhënë një kontribut i jashtëzakonshëm duke treguar prioritetet që duhet të kenë gjeneratat e reja siç është arsimimi, mirëqenja sociale, aktivitete të ndryshme kulturore, mirëmbajtja e familjes, rrethit ku jeton e kështu me radhë.

Në forma të ndryshme Muftinia e Shkupit dhe hoxhallarët në përgjithësi duke marë pjesë aktive në çdo iniciativë, qoftë të institucioneve lokale sikurse janë komunat por edhe ato shtetërore, ka qenë pjesë aktive që dukuri të ndryshme devijante, një prej të cilave është edhe kjo, të ndikojë pozitivisht dhe të jep kontributin e vet në maksimum për parandalimin e gjërave negative dhe ngritjen e vetëdijes tek të rinjtë”, ka deklaruar për Zhurnal, hoxhë Qenan Ismaili.

muftiu i Shkupit, teolog Qenan Ismaili

Rasti i fundit me djaloshin 20 vjeçar nga Austria

Hoxhë Metush Memedi është i mendimit se qasja e mediave ndaj rasteve të tilla është i gabueshëm. Ai shprehet se duhet të kundërshtojmë rastin e fundit me djaloshin nga Austria, sepse fakti që ai vjen 2-3 herë në Maqedoni gjatë vitit, nuk do të thotë se ai është frymëzuar nga ne për veprën që kreu.

“Asnjë ekstremist, asnjë djalë i ri musliman që ka bërë ndonjë gabim, nuk ka dalë nga xhamia por ideologjia e tij vjen nga rrjetet sociale. Sikur ky djali i ri që mundohen të na imponojnë si shqiptar i Maqedonisë, gjë që realisht duhet ta kundërshtojmë ne, sepse ai është lindur, shkolluar dhe jetuar në Austri, e tani pse ka ardhë nga dy tre herë në vit në Maqedoni u munduan mediumet ta lidhin me kombësinë tonë, dhe të na krijojnë probleme edhe si shqiptarë edhe si musliman”, ka deklaruar për Zhurnal, hoxhë Metush Memedi.

Obligimi i shteteve për sigurinë e qytetarëve

Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së e kanë dënuar vazhdimisht terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet e veta, duke theksuar se asnjë rrethanë dhe asnjë motiv nuk mund ta justifikojë terrorizmin. Njëkohësisht, shtetet kanë theksuar se lufta kundër terrorizmit gjithmonë duhet të zhvillohet në përputhje me parimin e sundimit të shtetit ligjor, me jurisprudencën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe në përputhje me angazhimet e OSBE-së.

Shtetet, përmes agjencive përkatëse policore kanë detyrën të mbrojnë të gjithë individët brenda juridiksionit të tyre ndaj akteve terroriste, kjo si pjesë e detyrimeve të tyre në kuadrin e të drejtave të njeriut për garantimin e së drejtës për jetën, së drejtës për siguri dhe të drejta të tjera në kuadrin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Kjo kërkon që shtetet të përdorin një qasje gjithëpërfshirëse në luftën kundër terrorizmit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë parandalimit dhe luftës kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm (VERLT), që favorizojnë terrorizmin, duke mbrojtur të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor.

Shërbimet sekrete dhe njësitë e ndryshme për parandalimin e terrorizmit dhe për siguri kombëtare, kanë për detyrë të parandalojnë sulme të këtilla terroriste kudo në botë. Ajo që ndodhi në Vienë a do të thotë se prap se prap, policia dhe shërbimet sekrete nuk janë dhe aq të afta për të parandaluar sulme të tilla, sepse brenda popullatës lindin dyshime se sulme të tilla lejohen qëllimisht që fesë islame ti mveshet radikalizmi dhe dhuna.

Presidenti i Francës, Emanuel Macron, së fundmi deklaroi se nuk po luftohet Islami por ekstremizmi islamik. Në këtë rast, prap se prap përmendet feja islame me arsyetim se terroristët kryejnë veprat e tyre në emër të islamit.

Hoxhallarët janë të mendimit se muslimanët nuk duhet aspak të brengosen për veprimet e tilla që kryejnë individë të caktuar, sepse ato veprime nuk e përfaqësojnë fenë por thjeshtë janë veprime të atyre individëve.

Gjithsesi, të gjithë shpresojmë se këto dukuri do të marin fund dhe qytetarët do të jenë të lirë të ecin rrugëve pa frikë se mund t’ju ndodhë ajo që i ndodhi Nexhip Vrenezit nga Struga në Austri.//Zhurnal.mk

Postime të ngjashme

Editorial / Reflektimi i Albin Kurtit mund të vijë edhe tek ne

R Zh

Dimitrov: Shtyerja e bisedimeve me BE-në krijon probleme besueshmërie

admin

Fajon: Vetoja bullgare për Maqedoninë e Veriut është jopërgjegjëse

admin

Milloshoski: Nuk pranoj regjistrues në shtëpi nëse nuk është vaksinuar

admin

Limani: Sot unë, nesër Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, Sadulla Duraku, Musa Xhaferi, mund të largohen nga BDI-ja

admin

Kaevski: Deputetët e VMRO-DPMNE-së, Aleanca dhe e Majta të qëndrojnë në anën e qytetarëve

admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...