Shkup, 5 nëntor – Përmes një kumtese lëshuar mediave mbi ngjarjet e ditës së sotme në Kosovë, ka reaguar dhe kreu i ASH Ziadin Sela i cili thotë se lufta në trojet tona ka qenë e drejtë për liri dhe mëvetësi pasiqë ka qenë e përkrahur nga demokraticë perendimore. “Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë për liri dhe mëvetësi, e përkrahur pa rezervë nga demokracitë perëndimore me në krye NATO për të ndalur gjenocidin që regjimi i Millosheviçit po kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës’, thekson Sela në letrën e tij.
Sipas tij, shteti i cili ka kryer krime në këto teritore asnjëherë nuk është përgjigjur për ato.
“Serbia asnjëherë nuk është përgjigjur për krimet e kryera në Kosovë dhe askush nuk është dënuar për mijëra shqiptarë të vrarë dhe gra të përdhunuara në mënyrë sistematike. Andaj, zhvillimet e ditëve të fundit me arrestimin e ish-zyrtarëve të lartë të UÇK-së nën akuza të rënda për krime kundër njerëzimit janë tejet të dhimbshme sepse po krijohet përshtypja se viktima po zë vendin e agresorit’, vlerëson mes tjerave Sela.
Më tej ai thotë se ky është një moment vendimtarë kur forcat politike kosovare duhet të unifikohen për të tejkaluar këtë sfidë të jashtëzakonshme.
“Të bindur thellë në fisnikërinë e luftës së UÇK-së dhe me besim të plotë në institucionet e drejtësisë, urojmë që ish-udhëheqësit e UÇK-së të dëshmojnë pafajësinë e tyre dhe e vërteta historike të konfirmohet sa më parë. Ky është një moment vendimtar kur forcat politike në Prishtinë duhet të unifikohen për të tejkaluar bashkërisht këtë sfide të jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës’, vlerëson mes tjerave kreu i ASH, Ziadin Sela.