Kabul, 11 nëntor – Trembëdhjetë pjesëtarët e Armatës së Maqedonisë së Veriut nga togu për siguri i Komandës kryesore të misionit “Mbështetja vendimtare” në Afganistan janë pozitivë në virus korona dhe gjenden në izolim. Edhe shtatë pjesëtarë të togut, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Mbrojtjes, gjenden në karantinë për shkak se kanë pasur kontakt me të infektuarit.
Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska sot pasdite ka biseduar me kolonelin Zllatko Kuzmanov nga komanda kryesore në Kabul, i cili e ka informuar se të gjithë paqeruajtësit tanë janë në gjendje të mirë të përgjithshme, pa simptoma të sëmundjes dhe të kujdesur në kushte adekuate.

“Koloneli Kuzmanov informoi se në misionin ‘Mbështetja vendimtare’ virusi ishte përhapur paraprakisht në rreth 2.000 persona, ndërsa vala e re kishte ndodhur gjatë dhjetë ditëve të kaluara. Se paqeruajtësit tanë janë pozitivë në virus korona, ishte zbuluar në testimet e rregullta të cilat në bazë bëhen një herë në javë”, sqarohet në kumtesën e MB.
Ministrja Shekerinska iu dëshiroi shërim të shpejtë pjesëtarëve të Armatës dhe ka kërkuar njoftim të rregullt ditor për gjendjen e tyre. Ajo ka theksuar se Ministria e Mbrojtjes do të përgjigjet për çfarëdo lloj nevoje ose kërkese në koordinim me komandën kryesore të misionit.

Pjesa tjetër e pjesëtarëve të Armatës të cilët në misionin “Mbështetja vendimtare” janë angazhuar si oficerë shtabi në Komandën për trajnim, asistimin dhe këshillim – kryeqytet, në aeroportin KAIA, nënvizohet në kumtesën, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe rregullisht i kryejnë detyrimet e tyre.