Agjencia Zhurnal.KS
Kosovë

Si e humbi Lidhja Demokratike bastionin kryesor

Fundi i Perandorisë së LDK-së në Llap, si e humbi Lidhja Demokratike bastionin kryesor.

Podujeva me krenari quhej bastion i LDK-së. Në këtë komunë të Kosovës, partia e Isa Mustafës ishte e bindur se do të korrte fitore, kurdoherë që të garonte në zgjedhje komunale. Dorëheqja e Agim Veliut nga posti i kryetarit, rënia e Qeverisë Kurti e debatet e fundit për të pagjeturit, ku u përfshi edhe deputetja Saranda Bogujevci, me gjasë i turbulluan pak ujërat. Pas 20 vjetësh, LDK-ja ia dorëzoi LVV-së, bastionin më të madh të saj. Gazeta Express sjell detajet
Zgjedhjet komunale me gjasë si kësaj here, asnjëherë nuk kanë pasur vëmendje kaq të madhe nga mediat e opinioni.

Krejt kjo pasi që beteja për Llapin më shumë sesa për kryetar komune, ishte beteja e parë politike e LVV-së e LDK-së, të cilën e patën pas prishjes në Qeveri dy partitë e “Koalicionit të shpresës”.

Fitues doli LVV-ja, duke arritur që për herë të parë pas 20 vjetësh t’ia marrë LDK-së bastionin kryesor të saj, Podujevën.

Por, pse Podujeva konsiderohej bastion i LDK-së dhe kur nisi rënia e këtij subjekti në këtë komunë?

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka një histori të gjatë fitoresh në komunën e Podujevës.

Në vitin 2000, Veliu ishte bërë kryetar i Kuvendit të Komunës së Podujevës deri në vitin 2002. Sërish në vitin 2002, Veliu bëhet kryetar i Kuvendit të Komunës së Podujevës, post të cilin e mban deri në vitin 2004.

Mirëpo, në vitin 2004 kur mbahen zgjedhjet parlamentare, në Qeverinë e krijuar mes LDK-së e AAK-së, Agim Veliu, nga niveli lokal avancohet në nivel qendror, duke marrë post ministror.

Agim Veliu, në atë qeveri ishte bërë ministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, post të cilin e ka mbajtur nga viti 2004 deri në vitin 2007.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve në vitin 2007, kur LDK-ja humbi zgjedhjet, Agim Veliu bëhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Si përfaqësues i qytetarëve në organin me të lartë ligjvënës, Veliu qëndron për dy vjet, 2008 –2009.

Ai në zgjedhjet lokale të vitit 2009, vendos t’i kthehet sërish nivelit lokal duke kandiduar për kryetar të Podujevës, zgjedhje këto të cilat i fitoi dhe merr mandatin e kryetarit të Podujevës.

Historia e fitoreve të LDK-së në Podujevë

Në zgjedhjet për kryetar të komunave në vitin 2007-të, LDK-ja kishte dalë e para me 49.10% të votave, derisa, pas saj ishte radhitur PDK-ja.

Në raundin e dytë ndërkaq në Podujevë, LDK-ja kishte fituar 54% të votave, derisa, kandidat për kryetar të komunës ishte Ilaz Pireva.

Nga PDK-ja kishin marrë 46% të votave me kandidat Muhamet Latifin.

Agim Veliu kishte kandiduar në zgjedhjet e vitit 2009 për kryetar komune, derisa ishte radhitur i pari me 49.93% të votave, i pasuar nga kandidati i PDK-së.

Veliu megjithatë kishte fituar në raund të dytë, duke e mposhtur kandidatin e PDK-së me 66.18% të votave.

Nënkryetari i LDK-së kishte arritur që ta merrte besimin e Llapjanëve edhe për një mandat tjetër në zgjedhjet e vitit 2013-të.

Atëherë, Veliu kishte dalë i pari nga kandidatët me 50.2% të votave.

Besimi për Veliun kishte rënë vite më vonë, kur në zgjedhjet e vitit 2017-të Veliu dështoi ta fitonte Podujevë në raund të parë.

Atë vit, Veliu mori 48.1% të votave, derisa, pas tij radhitej kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Ajet Potera 29.8%.

LDK-ja arriti të sigurojë një mandat në Llap në balotazh, kur e mposhtën Vetëvendosjen me 63.8 % të votave.

Megjithatë, Agim Veliu nuk e çoi deri në fund mandatin në krye të komunës, pasi që dha dorëheqje për t’u emëruar Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti, e të njëjtën pozitë është duke e mbajtur edhe në Qeverinë Hoti.

Që nga atëherë si u.d i kryetarit ka qenë Nexhmi Rudari, që pësoi humbje mbrëmë nga kandidati i LDK-së, Shpejtim Bulliqi.

Shpejtim Bulliqi fitoi mbrëmë me 51.64% të votave në Podujevë, derisa, kandidati i LDK-së mori 35.97% të votave.

Shpejtim Bulliqi do ta udhëheqë komunën për 8 muaj, deri në mbajtjen e zgjedhjeve komunale në tërë Kosovën, pra në fund të vitit 2021.

Duket se përplasjeve në nivel qendror ia kanë parë sherrin sidomos niveli lokal në Podujevë.

Megjithatë, kreu i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa është shprehur i bindur se Llapin do ta kthejnë në tetor të vitit 2021.

Postime të ngjashme

Humbin jetën edhe 17 persona nga coronavirusi në Kosovë – konfirmohen 781 raste të reja

S.B.

Haradinaj: Nuk kishim tjetër zgjidhje pos të përballemi me Serbinë

S.B.

Edita Tahiri reagon ndaj deklaratës së Edi Ramës për Kosovën

S.B.

Kurti bën homazhe te varret e presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi

S.B.

Seanca e Gjykatës së Hagës, avokati i Thaçit: Na jepni materialet që kërkojmë

S.B.

Hoxhaj përkujton 22 vjetorin e bombardimeve të NATO-s: Mision historik në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve për liri

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...