Agjencia Zhurnal.KS
Kulturë

Vako – maestroja që ngriti në tjetër nivel këndimin koral në Shqipëri

Brezi i parë i muzikantëve profesionistë të Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore ka mbetur pa dirigjentin Milto Vako. Ai vdiq të martën në moshën 90-vjeçare. Lajmi për vdekjen e Vakos është komentuar si kumt se muzika shqiptare ka humbur një prej profesionistëve të vyer. Trashëgimia e Vakos, sipas Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Teatrit të Operës dhe Baletit, do të mbetet pjesë e çmueshme e historisë muzikore të Shqipërisë.

I lindur në Pogradec me 30 mars të vitit 1930, Vako kreu shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” në vitin 1952 dhe në vitet 1952-1956 vijoi studimet e larta në konservatorin “P. I. Tchaikovsky” në Moskë, ku u diplomua si dirigjent kori, nёn drejtimin e profesorit me nam botёror, Alexander Sokolov. Sipas biografisë së shkruar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, menjёherё pas studimeve Vako ishte emëruar dirigjent në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore duke qenё krahu i djathtё i kompozitorit Çesk Zadeja i cili drejtonte artistikisht Ansamblin e themeluar nё vitin 1957.

“Puna e Milto Vakos pёr dirigjimin e korit tё AKVP e posaçёrisht pёr t’u dhёnё jetё krijimeve tё kompozitorёve shqiptarё do tё mbahet mend gjatё. Ishte ai qё futi standardet e para tё kёndimit koral profesionist nё AKVP dhe qё ndikoi thelbёsisht nё arritjet dhe sukseset kombёtare e ndёrkombёtare tё kёtij Ansambli”, ka vlerësuar Akademia e Shkencave figurën e Vakos.

Dirigjenti paralelisht kreu edhe detyra tё tjera qё lidhen me mёsimdhёnien nё Liceun Artistik dhe nё Institutin e Lartё tё Arteve. Me forcimin e kontrollit ideologjik nё fushёn e arteve, në vitin 1973, fillimisht u internua e mё pas u arrestua e dënua pёr agjitacion e propagandë, duke vuajtur dënimin në burgun e Tepelenës, e mё pas nё atё tё Ballshit, deri në vitin 1982. Vetë Vako në një intervistë të vitit 2015 për Julia Vrapin kishte thënë se pasi ishte përgatitur një shfaqje në Teatrin e Operës dhe Baletit, u tha se kishte pikëpamje shumë moderne dhe liberale në art dhe faji i takonte atij. Ishte koha kur pushteti monist në krye me Enver Hoxhën artin e kishin futur në rrugën e realizmit socialist dhe përdorej kryesisht për propagandë në shërbim të udhëheqësisë.

“Më çuan në Tepelenë ku punova në bujqësi, por pas dy vjetëve më arrestuan, duke më quajtur sikur unë isha bashkëpunëtor dhe me Fadil Paçranin. Bëra 7 vjet burg në Ballsh. Kur mbarova burgun, erdha në Tiranë, punova në administratën e shkollave si hidraulik. Më 1990 më thirrën në Akademinë e Arteve dhe fillova punën”, kishte rrëfyer Vako.

Në vitin 1990 ai do të angazhohej fillimisht në Korin e Kishёs Ortodokse, për të vazhduar si pedagog në Fakultetin e Muzikёs nё Universitetin e Arteve.

Sipas përshkrimit që i ka bërë Teatri i Operës dhe Baletit, Vako është një nga emrat e nderuar të artin shqiptar në fushën e dirigjimit koral.

“Si drejtues i korit të AKVP, së bashku me trupat ai arriti suksese të cilat kanë mbetur në memorien e publikut brenda dhe jashtë vendit”, shkruhet në njoftimin e TOB. Kori nën drejtimin e tij ishte fitues i “Gjerdanit të Artë” në Dijon të Francës. Vako si mjeshtër kori i TOB-it përgatiti me profesionalizëm vepra si “Mrika”, (1966), “Heroina”, (1967), “Skënderbeu”, (1968), e të tjera. Dirigjenti është një ndër themeluesit e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, ku së bashku me figura të tjera të njohura si Çesk Zadeja, Albert Paparisto, Hamide Stringa e Mustafa Krantja i dhanë jetë shkollës së muzikës shqiptare.

Në intervistën e vitit 2015, ai kishte thënë se muzika shqiptare është kryevepër. Por kishte një hall në raport me krijimtarinë që sipas tij, ishte elitare.

“Këtu po flas për vepra arti dhe muzika jonë është shumë e bukur, por fatkeqësisht nuk po ndihet më muzika jonë. Kjo, sepse dhe nuk punohet, interes nuk tregojnë institucionet. Janë pasionuar shumë pas gjërave të reja. Kjo është gabim, sepse çdo gjë ka vendin e vet. Por, edhe klasikes po i bie vlera. Nuk kemi vepra shqiptare sa duhet”, kishte thënë ai. Ishte i zhgënjyer edhe sa i përket muzikës së lehtë shqiptare. Kishte thënë se pa dashur ta fyente askënd, grekët e serbët kishin ruajtur muzikën e tyre, por shqiptarët jo edhe aq.

“Kur dëgjon sot një këngë shqiptare, mezi e thua që është shqiptare, ka dhe këngë që nuk merren vesh. Por, këtu nuk janë të gjitha këngët, pasi kemi dhe këngë që janë të mira”, kishte thënë ai. Vako është autor i librave profesionalë “Krijimtaria korale”, “Puna me korin dhe teknika vokale” dhe “Teoria e solfezhit dhe e harmonisë”. Si 85-vjeçar kishte thënë se në Ansamblin Popullor kishte rënë niveli. “Ansambli Kombëtar u shkatërrua pasi më herët ka pasur të tjera përmasa, Ansambli i Ushtrisë u shkatërrua. AKKVP sot është një miniaturë, gjynah, nuk ka interes nga shteti që ta vlerësojë, ndihmojë, sponsorizojë”, kishte thënë Vako, i cili me arsyetimin se “koha ishte e tillë”, asnjëherë nuk kishte folur për arrestimin e tij.

Postime të ngjashme

Anulohet Festivali i Rokut në Gjenevë

S.B.

Futet në librin e rekordeve Guiness, shitet piktura më e madhe në botë për 62 milionë dollarë në Dubai

S.B.

Garvanliev të mbetet përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut në Eurosong 2021

T E

Librat e Kunderës, betejë e përjetshme e njeriut me sistemin

S.B.

Vdes poeti dhe eseisti i njohur polak, Adam Zagajewski

S.B.

Shoqata Tradita e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar Shtigje poetike

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...