Dhomat e Specializuara në Hagë njoftojnë se ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, do të bëjë paraqitjen e parë para gjyqit të këtij institucioni, më 10 nëntor.
Siç njoftojnë Dhomat e Specializuara, seanca do të nisë në orën 15:00 dhe do të jetë publike.
Veseli u transferua në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë më 5 nëntor.
Aktakuza ndaj tij për krime lufte ishte konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake më 26 tetor, por nuk u bë publike deri më 5 nëntor.
Më 5 nëntor, Veseli dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftuan për konfirmimin e aktakuzës për krime lufte ndaj tyre.
Veseli, Thaçi si dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një aktakuze të përbashkët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që të gjithë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.