Agjencia Zhurnal.KS
Kulturë

Visar Morina si regjisor teatri në Münich, drejt zbërthimit të vetmisë

Kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç, regjisori kosovar Visar Morina – që i dha jehonë edhe Kosovës nëpërmjet filmave të tij – u njoh për herë të parë me teatrin. Qe moment vendimtar që ai të niste rrugëtimin si regjisor. Përmes projekteve filmike arriti që emri i tij të bëhej i njohur në fushën e kinematografisë. Por tash është gati që të lërë gjurmë edhe në teatër, ku u provua vetëm si asistent regjie.

Më 17 janar të vitit të ardhshëm është planifikuar që të jepet premiera e shfaqjes “Flüstern in stehenden Zügen” (Psherëtima në trenat që nuk lëvizin), nën regji të tij. Morina është në proces që të arrijë në një gjendje të caktuar emocionale. “Shfaqja shpërfaq një gjendje të vetmisë, ku çmenduria troket në derë”, ka treguar shkurt regjisori gjersa shpalos detajet për këtë projekt.

“Psherëtima në trenat që nuk lëvizin” është produksion i kompanisë teatrale “Münich Kammerspiele” në Münich të Gjermanisë. E themeluar në vitin 1906, hapësira është bërë e njohur për prezantimin e një numri të madh të premierave, përfshirë vepra të realizuara nga zvicerani Friedrich Dürrenmatt, gjermani Benjamin Franklin Wedekind, Erwin Faber dhe Peter Stein, amerikani Robert Wilson e të tjerë. Tani, në listën e regjisorëve do të figurojë edhe emri i regjisorit Morina, i njohur për filmat “Babai” dhe “Exil”, propozim i Kosovës për nominim për “Oscar”. Ai është duke punuar në tekstin e shkrimtarit Clemens J. Setz, i lindur në Graz në vitin 1982, ku studioi matematikë dhe gjermanisht dhe tani jeton si përkthyes dhe autor i pavarur. Në vitin 2011 ishte shpërblyer me çmimin e Panairit të Librit në Leipzig për librin e tij me histori të shkurtra, “Die Liebe zu Zeit des Mahlstädter Kind”. Është i njohur dhe për romanin “Indigo” e me “The Hour Between Woman and Guitar Setz” mori çmimin letrar “Wilhelm Raabe” në vitin 2015. Vepra e tij “Psherëtima në trenat që nuk lëvizin” nuk është inskenuar me herët në teatër.

Për Visar Morinën, teatri ka një rëndësi të jashtëzakonshme pasi që aty e ka nisur rrugëtimin si regjisor. Para se të hynte rrugës së filmit kishte punuar si asistent i regjisë nëpër teatro.

“Jam shumë i ndikuar nga teatri dhe më pëlqen puna që bëhet në teatër jashtë mase, si dhe ka regjisorë që janë shumë, shumë të mirë. Për mua ka qenë pak a shumë si një lloj ëndrre të punoj në teatër dhe është një punë që e dua tepër”, ka thënë regjisori i cili në moshën 15-vjeçare ishte larguar nga Kosova dhe ishte vendosur në Gjermani. Aty jeton e vepron tash e 27 vjet.

Në ueb-faqen e “Münich Kammerspiele”, ku është dhënë përshkrimi shfaqjes, shkruhet se personazhi kryesor i shfaqjes, C-ja, është i vetmuar.

“Telefoni është kontakti i tij i vetëm me botën. Por kë mund ta thërrasë ai kur nuk e ka askënd? Çfarë mund të jetë më konstruktive, më gjallëruese sesa një telefonatë me një linjë telefonike të shërbimeve për klientë? Ose në fund t’u lajmëroheni atyre që u dërgojnë mesazhe elektronike që shkojnë në ‘spam’”, është përshkrimi që i bëhet shfaqjes.

Po aty është shkruar se Clemens Setz është mjeshtër i një realizmi magjik të çuditshëm e misterioz, që tani eksploron një anë kurioze të globalizimit. Po ashtu potencohet se kjo është hera e parë që regjisori i filmit Visar Morina vjen me shfaqje teatrore.

“Ai pikturon një portret thellësisht të pikëlluar e po ashtu me humor, të një personi në izolim”, është shkruar në përshkrim.

Morina ka treguar më shumë për aspektin e tij regjisorial dhe qasjen që ia ka dhënë tekstit.

“Ajo që kemi bërë ne është se kemi larguar të gjithë personazhet e tjera dhe e vetmja gjë që ai bën, është se i thërret këta njerëz dhe kur të njëjtit nuk shoqërohen me të, u bërtet, i shanë duke u thënë se po sillen sikur robotë”, ka thënë Morina. Ka treguar se deri tani provat i ka ndarë në dy blloqe. Një pjesë e kanë mbajtur në gusht dhe do të vazhdojnë përsëri në dhjetor dhe janar. E, Morina ka ende punë për të bërë.

“E rëndësishme për mua ishte fakti t’ia heqim karakterit gjërat që e rrethojnë dhe ai mbetet vetëm më ato thirrjet në telefon. Një njeri normal, del e bisedon me njerëzit, takohet me ta, kjo është përditshmëria e tij. Por nëse jam vetëm me telefon, të gjitha ndjenjat që i marr unë kur i shoh njerëzit, duhet t’i nxjerr në një mënyrë nëpërmjet tij”, ka thënë Morina. Ka shtuar së kështu krijohet një status jashtë mase i vetmuar dhe një situatë kur në një mënyrë trupi nuk ekziston.

“Edhe pse teksti është shkruar kohë me parë, ka të bëjë shumë me këtë kohë në të cilën jemi momentalisht, ku njerëzit janë të mbyllur dhe për shumë prej tyre telefoni po mbetet si medium kryesor për mbajtjen e kontakteve”, ka thënë ai. Ka treguar se ka hasur në sfida në aspektin artistik, pasi që është një qasje komplet ndryshe prej filmit.

“Në fakt po më pëlqen kjo, pasi që zakonisht në film më duhet që të përgatitem shumë gjatë, të planifikoj shumë. Në fakt ekipin e ke si një ushtri, ku çdo gjë duhet të jetë e paramenduar, e kalkuluar, e organizuar. Ndonjëherë të bën jashtë mase statik në punë”, ka thënë ai. E te teatri, ka thënë se i pëlqen mundësia që t’i realizojë dhe ndryshojë gjërat pa bërë një planifikim të gjatë.

“Lëmia ime kryesore do të jetë filmi, mirëpo me shumë dëshirë kthehem herë pas here në teatër, varësisht prej kohës, ofertës, mirëpo është diçka që kam dëshirë ta bëj. Kur punoj në teatër më duket që më kthjellohet kryet, nuk merresh me shumë aspekte teknike dhe rezultati vërehet shpejt”, ka thënë ai. Diçka e kundërt nga puna e tij në film, ku potencon se filmi i tij i fundit “Exil” i kishte marrë katër vjet.

“Exili”, premierën botërore e kishte pasur në janar të këtij viti, në festivalin e filmit “Sundance” në SHBA, e atë evropiane në shkurt, në “Berlinale”. Është filmi i dytë i Morinës me të cilin Kosova synon “Oscarin”, pas filmit “Babai” më 2016. Në fund të gushtit, filmi “Exil” i Morinës ka fituar “Zemrën e Sarajevës”, më të madhin çmim në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Kështu me trofeun kryesor në edicionin e 26-të, Morina u bë i pari kineast nga Kosova të cilit iu akordua një çmim i tillë në këtë ngjarje.

Postime të ngjashme

Anulohet Festivali i Rokut në Gjenevë

S.B.

Futet në librin e rekordeve Guiness, shitet piktura më e madhe në botë për 62 milionë dollarë në Dubai

S.B.

Garvanliev të mbetet përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut në Eurosong 2021

T E

Librat e Kunderës, betejë e përjetshme e njeriut me sistemin

S.B.

Vdes poeti dhe eseisti i njohur polak, Adam Zagajewski

S.B.

Shoqata Tradita e organizoi Edicionin V të manifestimit letrar ndërkombëtar Shtigje poetike

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...