Shkup, 30 nëntor – Zhurnal.mk – Presidenti serb Aleksandar Vuçiç gjatë vizitës në Nish, duke u përgjigjur në kritikat nga ekspertët se sistemi shëndetësor në çdo moment mund të fundoset, ka bërë disa krahasime me vendet e rajonit duke theksuar se numri i të vdekurve në vendet fqinje është shumë më i madh ndërsa janë vende më të vogla, informon Zhurnal.
Ai mes tjerash potencoi dhe vendin tonë, Maqedoninë e Veriut, e cila siç tha ai, është më e vogël se Serbia, ndërsa ka më tepër raste të vdekjeve.
Gjithashtu edhe Bosnja e Hercegovina siç thotë, ka 1000 raste të vdekjeve më tepër, ndërsa është dyfish më e vogël se Serbia.
“Kroacia, e cila është 1,8 herë më e vogël ka më tepër raste të vdekjeve. Mali i Zi ka 480, kjo është sikur ne të kemi 4800 e jo 1500 raste të vdekjeve. Bullgaria, Hungaria, Romania gjithashtu kanë më tepër, por nuk ka kush t’ua thotë njerëzve të gjithë këtë. Kjo sëmundje është serioze dhe sistemi ynë po lufton kundër saj”, tha Vuçiç.
Në Maqedoni të Veriut deri dje kishte 1699 të vdekur, ndërsa në Serbi numri i të vdekurve shënon 1484.//Zhurnal.mk