Shkup, 11 nëntor – Do të vazhdojmë të punojmë me Bullgarinë për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët ngadhnjyese. Në këtë moment ende nuk kemi arritur deri aty në bisedat me Bullgarinë, por para nesh ekzistojnë kushte për këtë. Qëllimi është që përmes marrëveshjes, përmes dy komisioneve, e ato janë komisioni historik dhe komisioni ndërqeveritar, t’i gjejmë zgjidhjet të cilat kanë sqarim, angazhim shtesë, implementim serioz të obligimeve të Marrëveshjes. Presim që këto ditë të intensifikohen bisedat që në fund pak para datës 17, të martën, të tentojmë të arrijmë zgjidhje.
Këtë e theksoi kryeministri Zoran Zaev, në pyetjen e gazetarëve në konferencën për shtyp në Qeveri, për deklaratën e zëvendës kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes të Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov, se Shkupi ka kohë deri të premten të korigjojë gjithçka që ka lëshuar në këmbim për fillimin e negociatave aderuese, e do t’i përfshinin çështjet për gjuhën, identitetin dhe historinë.
“Politikanët e vërtetë duhet t’i japin rëndësi procesit dhe të gjejnë mënyrë që të pajtohen. Për këtë kemi edhe përkrahje të drejtpërdrejtë nga kancelarja Merkel”, tha Zaev.
I pyetur se çka konkretisht Maqedonia e Veriut duhet të pranojë, Zaev e përsëriti përgjigjen dhe theksoi se pala bullgare nuk kërkon të kontestohen identiteti dhe gjuha maqedonase, dhe thotë se nëse të dy palët respektohen, është e mundur zgjidhje.