Agjencia Zhurnal.KS
Maqedoni Temë TOP LAJM

Masat antikrizë dhe ligji për shtetësi, qytetarët peng i politikës ditore

Shkup, 23 mars – Zhurnal – Kuvendi Republikan sot pritej të votojë ligjet antikrizë nga pakoja e pestë e masave për përballje me Kovid-19, megjithatë, në mungesë të kuorumit si pasojë e deputetëve të shumicës që ndodhen në izolim me Kovid, kjo nuk do të ndodhë, për çka kryeparlamentari Talat Xhaferi të hënën shtyu seancën për një datë të pacaktuar.

Ndonëse në shikim të parë kjo është arsyeja e shtyerjes së seancës dhe se votimi do të ndodhë pasi deputetët të dalin nga izolimi, gjërat janë më të ndërlikuara se kaq, dilema që parashtrohet është nëse vallë në prapaskenë qëndrojnë mijëra amandamentet e opozitës shqiptare e cila bllokon shtëpinë ligjvënëse, nga shkaku i refuzimit që ju bë propozimit-ligjit të saj për shtetësi.

Kjo me gjasë do të pamundësojë miratimin e pakos antikrizë, deri në gjetjen e një zgjidhjeje mes shumicës dhe opozitës, e cila nuk duket në horizont.

Për pasojat nga vonesa e miratimit të ligjeve, Zhurnal.mk ka marrë një përgjigje nga kabineti i zëvëndës kryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, nga ku thonë se të gjitha pakot e masave ekonomike janë miratuar në kohën e duhur dhe të njëjtat treguan rezultate, prandaj miratimi i ligjeve të cilat do të mundësonin implementimin e pakos së pestë ka rëndësi të veçantë për qytetarët dhe bizneset pasi të njejtat janë konsultuar me të gjithë faktorët dhe unanimisht janë pajtuar, që këto janë masat e duhura të cilat do t’i ndihmojnë biznesit në këtë periudhë kohore.

“Çdo shtyerje e afateve për miratimin e këtyre ligjeve do ketë pasoja të mëdha ekonomike tek kompanitë në më shumë aspekte, si në likuiditet, ruajtje të vendeve të punës, por edhe për qytetarët të cilët presin gjatë kohë për kartelat pagesore”, thuhet në deklaratën e kabinetit të Bytyqit.

E gjetur në një situatë të palakmueshme në pamundësi të zbatojë politikat e saja, qeveria mbrëmë vonë i bëri thirrje opozitës të zhbllokojë Kuvendin. Qeveria thotë se kemi të bëjmë me një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm në të cilin duhet Kuvendi sa më parë t’I miratojë ndryshimet ligjore në mënyrë që të vihen në funksion masat nga pakot antikovid, të cilat janë me rëndësi të jashtëzakonshme për qytetarët dhe ekonominë.

Dhjetra mijëra qytetarë shqiptarë nuk gëzojnë të drejtën e shtetësisë në vend

Koordinatori i grupit parlamentar Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët, Skender Rexhepi, nga ana e tij thotë se zhbllokimi i punës së Kuvendit qëndron te ligji për Shtetësi, ndërkohë që akuzoi shumicën në Kuvend se nuk është e gatshme të gjej një zgjidhje të përbashkët për problemin.

“Propozova të gjejmë zgjidhje në atë mënyrë që të zhbllokojmë Kuvendin. Meqë përfaqësuesit e pushtetit në deklaratat e tyre për mediat thonë se kanë një propozim-ligj për shtetësinë, unë propozova të prezentojnë verzionin e tyre, pastaj bashkë të ulemi dhe ti shqyrtojmë dy variantet dhe të dalim me një të përbashkët i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve të cilët kanë nevojë për shtetësi”, tha Rexhepi.

Ai shtoi se vërtetë ndihma për qytetarët në kohë pandemie është e rëndësishme, megjithatë tha se ka qytetarë të cilët nuk marin asnjë ndihmë, dhe se si opozitë shqiptare janë të gatshëm të bllokojnë të gjitha ligjet, deri atëherë kur do të zgjidhet çështja e personave pa shtetësi.

Sidoqoftë, një është e sigurt, se në ditët në vijim do të kemi intensifikim të dialogut brendapolitik për të gjetur një zgjidhje për ngërçin institucional, pasi ashtu siç është e rëndësishme për qeverinë miratimi i masave antikrizë, është njëjtë për opozitën shqiptare gjetja e një zgjidhjeje ligjore për personat pa shtetësi.

Që alarmi të jetë akoma më i madh për nevojën për gjetjen e një zgjidhje të shpejtë, flasin të dhënat se përplasjet politike mes shumicës dhe opozitës kanë ngeluar të bllokuar edhe ligji për nëpunësit administrativ, ligji për arsim të lartë, ligji për punë të brendshme, ligji për marrëdhënie të punës, ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për mbrojtje shëndetësore, ligji për trashëgimi kulturore, ligji për interes publik në kulturë, si dhe ligji për ndërtimin e qendrës Klinike Universitare.

Postime të ngjashme

Editorial / Reflektimi i Albin Kurtit mund të vijë edhe tek ne

R Zh

Dimitrov: Shtyerja e bisedimeve me BE-në krijon probleme besueshmërie

admin

Fajon: Vetoja bullgare për Maqedoninë e Veriut është jopërgjegjëse

admin

Milloshoski: Nuk pranoj regjistrues në shtëpi nëse nuk është vaksinuar

admin

Limani: Sot unë, nesër Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, Sadulla Duraku, Musa Xhaferi, mund të largohen nga BDI-ja

admin

Kaevski: Deputetët e VMRO-DPMNE-së, Aleanca dhe e Majta të qëndrojnë në anën e qytetarëve

admin

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...